Edhe tre mjekë nga Kumanova kanë rezultuar pozitivë për korona virus, mëson Alsat. Njëri është nga Shtëpia e Shëndetit i cili ka kryer vizita nëpër shtëpi. Mjekja tjetër është nga reparti i ORL-së që është shndërruar në repart për pacientë me simptoma më të lehta të këtij virusi.
Mjeku i tretë i prekur është nga Kriva Pallanka. Me këtë, numri total i mjekëve dhe personelit mjekësor është rritur në 18.
Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë deri më tani janë infektuar gjithsej 52 punonjës shëndetësorë në vend. Në Shtip, 14 punonjës nga reparti infektiv tashmë janë në vetizolim. Prej tyre, dy mjekë infektologë, tetë infermiere dhe katër infermier.
Ata kanë pasur kontakt me një paciente 80-vjeçare pozitive në Covid 19. Gostivari e mbylli Qendrën e Shëndetit Publik pasi që tek një punonjës është konfirmuar infektimi me virusin korona. Edhe tetë kolegë të tij janë në vetizolim.
Një punonjës shëndetësor i infektuar është në poliklinikën e Çairit. Të infektuar janë edhe një mjek amë nga Llabunishta, një mjek nga reparti i sëmundjeve ngjitëse në Spitalin e Përgjithshëm të Prilepit, si dhe një mjek nga spitali psikiatrik në Demir Hisar./alsat/