Një burri 46 vjeçar nga Shtipi me dobësi të jashtëzakonshme në zemër sot i është transplatuar zemër tërësisht artificiale në Spitalin klinik “Axhibadem Sistina” në Shkup.
Pacienti në gjendje stabile shëndetësore ndihet mirë, informojnë nga Klinika.
Bëhet fjalë për një ndërhyrje të parë të tillë kirurgjike në Maqedoni. Operacioni ka zgjatur më shumë se pesë orë e gjysmë, ndërsa e ka kryer ekipi i Klinikës, i kryesuar nga shefi i Sektorit për kardiokirurgji, prof.dr. Aleksandar Nikoliq.
Ndërsa zemra mekanike është me madhësi të njëjtë si ajo paraprake. Mbushet me bateri, të cilën pas daljes nga spitali, pacienti do ta mbajë në një çantë speciale në shpinë, me peshë prej gjashtë kilogramëve. Vendosja e zemrës mekanike është një trend në kardiokirurgjinë botërore, duke e pasur parasysh faktin që gjithnjë e më vështirë arrihet deri tek zemra që dhurohet, theksojnë nga Klinika.
Në korniza botërore janë kryer 1.800 operacione të tilla, ndërsa Maqedonia ka hyrë në listën e 25 vendeve në botë ku kryhet ky intervenim i vështirë dhe më i ndërlikuar në kardiokirurgji, përveç shteteve siç janë SHBA-ja, Kanadaja, Franca, Gjermania, Turqia, Britania e Madhe, Italia.