Maqedoni: 150 mijë familje mbahen nga diaspora

Llogaritet se në Maqedoni së paku 150 mijë familje marrin mbështetje të rregullt nga familjarët e tyre që punojnë jashtë, ndërsa shuma prej së paku 500 milionë eurove për çdo vit jo vetëm që mbulon një pjesë të konsiderueshme të deficitit tregtar të Maqedonisë, por siguron edhe ekzistencën e këtyre familjeve dhe stabilitetin makroekonomik të shtetit.

Banka Popullore ka rikonfirmuar paralajmërimet e mëhershme për uljen e të hollave që mërgimtarët i dërgojnë në vendlindje. Vlerësohet se një trend i tillë i uljes së remitencave po ndodh në tërë botën, mirëpo sivjet pritet të stabilizohet prurja devizore e punëtorëve nga Maqedonia me punë të përhershme apo të përkohshme jashtë vendit. Në rast se para pandemisë dërgesat e devizave nga jashtë kanë qenë afër 15 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ato vitin e kaluar kanë shënuar rënie prej 24 për qind, thonë nga Banka Popullore e Maqedonisë. Sipas pritjeve tona, por edhe ato të institucioneve ndërkombëtare financiare në suaza globale, ka ardhur deri te ngadalësimi i transfereve private në kushtet e pandemisë, thotë guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhovska.

“Shkaqet kryesore për këtë rënie janë pandemia që në mënyrë të sinkronizuar i godet të gjitha tregjet e punës dhe të ardhurat e disponueshme të mërgimtarëve tanë, dhe kapacitetin për dërgimin e dërgesave, ndërsa shkaku i dytë është te shtrëngimet në pjesën e lëvizjes, që mund të shikohet edhe tek struktura e derdhjeve në bazë të dërgesave”, shton më tej Bezhovska. Sipas saj, sivjet pritet stabilizim gradual i shumës së remitencave, megjithëse nuk pritet që këtë vit të arrijnë nivelin e para krizës së shkaktuar nga pandemia.

Nga ana tjerër, të hollat që dërgojnë mërgimtarët që punojnë jashtë, vazhdojnë të mbeten një “ventil” i rëndësishëm për zbutjen e gjendjes sociale në Maqedoni. Edhe pse është vështirë të kemi një pasqyrë të plotë të lëvizjes së tyre, për shkak se pjesën më të madhe të parave mërgimtarët e dërgojnë përmes rrugëve informale dhe më pak përmes bankave apo agjencive të specializuara, vite me radhë dërgesat paraqesin një nga faktorët kryesor të stabilitetit makroekonomik dhe social të shtetit.

Gjithashtu, analizat e Bankës Qendrore tregojnë se nga viti 2009 e këndej prurjet e devizave nga jashtë kanë vlerën më të madhe se një miliard euro në vit, apo afër 16 për qind në mesatare e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo nënkupton se vitin e kaluar është shënuar një rënie e madhe prej 250 milionë eurosh e të hollave të dërguara nga jashtë, nëse marrim parasysh rënien e tyre prej 24 për qind në vitin e kaluar. Këto mjete për çdo vit mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të deficitit tregtar të Maqedonisë, si dhe minuset e tjera në llogaritë financiare të shtetit.

Analiza e fundit e Bankës Popullore të Maqedonisë tregon se zgjerimi i deficitit të llogarisë rrjedhëse vitin e kaluar arriti 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kryesisht si rezultat i uljes së dukshme të transfereve private, që pritet të përmirësohen në suaza afatmesme me një deficit mesatar prej 2.1 për qind si pjesë e PBB-së, që është e ngjashme me periudhën e para krizës. Njëherësh, analizat tregojnë se përmirësimi i deficitit në llogarinë rrjedhëse në vitin 2021, është rezultat kryesisht i rikuperimit të transfereve private, që e kompensojnë zgjerimin e deficitit tregtar.

Llogaritet se në Maqedoni së paku 150 mijë familje marrin mbështetje të rregullt nga familjarët e tyre që punojnë jashtë, ndërsa shuma prej së paku 500 milionë eurove për çdo vit jo vetëm që mbulon një pjesë të konsiderueshme të deficitit tregtar të Maqedonisë, por siguron edhe ekzistencën e këtyre familjeve dhe stabilitetin makroekonomik të shtetit.

Qarkullim i theksuar për çdo vit në sektorët e tregtisë, hotelerisë, ndërtimit, si dhe konsumit për jetesë është kontribut kryesor i mërgatës në Maqedoni. Studimet e viteve të kaluara kanë treguar se mërgimtarët dërgojnë të holla për të ndihmuar ekzistencën e të afërmve të tyre në vend, por këto të holla kryesisht nuk orientohen në investime për shkak të problemeve të ndryshme politike dhe ekonomike. Njëherësh, ekonomistët shpjegojnë se në të ardhurat sekondare të shtetit apo dërgesat e devizave që përllogariten si transaksione financiare, hyjnë edhe dërgesat e mërgimtarëve, të hollat që këmbehen në këmbimore, transferet e tjera private si dhe ndihmat që fiton shteti nga jashtë.