Manjati 93-vjeçar i medias, Rupert Murdoch martohet për të pestën herë

Manjati i medias, Rupert Murdoch është martuar për herë të pestë në një ceremoni në një pronë të tij në Kaliforni.

Murdoch, 93 vjeç, u martua të shtunën me gruan e tij të re, Elena Zhukova, 67 vjeç, një biologe ruse në pension, raporton BBC.

Ai u përfol se ishte në lidhje me Zhukovan menjëherë pasi fejesa e tij me Ann Lesley Smith u ndërpre papritmas në prill të vitit 2023.

Murdoch, i lindur në Australi, i cili ka gjashtë fëmijë, është kryetar emeritus i “News Corporation”, i cili zotëron Fox News, Wall Street Journal, Sun dhe Times.

Ai ka dhënë dorëheqjen si kryetar i Fox dhe News Corp vitin e kaluar, duke lënë djalin e tij Lachlan në krye të të dy kompanive.

Murdoch dhe Zhukova thuhet se janë takuar në një festë të organizuar nga një prej ish-grave të tij, sipërmarrësja me origjinë kineze, Wendi Deng.

Ish-bashkëshortet e tjera të tij janë stjuardesa australiane, Patricia Booker, gazetarja me origjinë skoceze Anna Mann dhe modelja dhe aktorja amerikane, Jerry Hall.

Ndërkaq, Zhukova ishte e martuar më parë me miliarderin rus të naftës, Alexander Zhukov, derisa vajza e tyre Dasha ishte e martuar me oligarkun rus, Roman Abramovich deri në vitin 2017.

Rupert Murdoch e filloi karrierën e tij në Australi në vitet 1950, duke blerë gazetat News of the World dhe Sun në MB në 1969.

Më vonë ai bleu një numër botimesh amerikane, duke përfshirë New York Post dhe Wall Street Journal.

Në vitin 1996, ai lançoi Fox News – tani kanali televiziv më i shikuar i lajmeve në SHBA.

Përmes News Corp, e cila u themelua në vitin 2013, Murdochi mbetet pronar i qindra mediave lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.