Mali Sharr pjesë e rrjetit “Natura 2000”

“Përmirësimi i kapaciteteve për Natura 2000” titullohet projekti i financuar nga Bashkimi Evropian që filloi të implementohet në Malin Sharr. Qëllimet e projektit kanë të bëjë me përgatitjet e vendit për zbatimin e direktivave të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e natyrës dhe rregullorja mbi tregtinë ndërkombëtare të specieve të rrezikuara të faunës dhe florës së egër. Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, tha se një nga politikat dhe instrumentet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian në mbrojtjen e natyrës janë Direktivat për habitatet dhe zogjtë, të cilët janë mekanizmat bazë ligjorë për vendosjen e rrjetit ekologjik evropian “Natura 2000”.

“Fakt është se ky rrjet është një nga rrjetet më të mëdha të zonave të mbrojtura në botë dhe përfaqëson një mjet kyç për mbrojtjen dhe ruajtjen e habitateve natyrore, specieve bimore, shtazore dhe shpendëve, të cilët janë me interes të mbrojtjes dhe ruajtjes së BE-së. Gjithashtu, jemi duke punuar edhe në përmirësimin e rregullores ligjore. Ligji i ri për natyrën dhe aktet nënligjore të përgatitura sigurojnë transpozimin e plotë të direktivave të BE-së për habitatet dhe Zogjtë dhe i njëjti është dorëzuar në konsultim ndërsektorial, pas së cilës do vijojë procedura për miratimin e tij”, tha ministrin Nuredini.

Ndërkohë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Dejvid Gir tha se ndjehet i kënaqur që merr pjesë edhe në një ngjarje ku promovohet ndihma që Bashkimi Evropian jep për Maqedoninë e veriut për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe vet natyrës.

“Sidomos në këtë rast jemi duke ndihmuar për ndërtimin e kapaciteteve dhe përforcuar këta kapacitete nga ana e Bashkimi Evropian, që të jeni në standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës. Arsyeja se pse jemi këtu është që të japim ndihmë gjithashtu për identifikimin e lokacioneve dhe vendeve tjera, në të ardhmen për tu bërë pjesë e rrjetit Natura 2000, që është rrjeti më i madh botëror, ku bëjnë pjesë edhe vende anëtare të BE-së dhe arsyeja se pse jemi këtu në Malin Sharr, sepse shohim shumë potencial që edhe Mali Sharr të jetë pjesë e Natura 2000”, tha ambasadori Gir.

Ai u shpreh se përkrahja e sotme nuk ka të bëjë vetëm me potencialin e natyrës por gjithashtu edhe për përgatitjen e vendit që në të ardhmen të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Në ngjarje foli edhe drejtori i parkut nacional Mali Sharr, Ibrahim Dehari.

“Parku i ri nacional ngadalë, por sigurt i vendos themelet e funksionimit të suksesshëm, ndërsa mundësia që të identifikohet si zonë e ardhshme NATURA 2000 dhe vendosjen e rregullores ligjore për parandalimin e tregtisë ndërkombëtare me lloje të egra të rrezikuara të florës dhe faunës, në masë të madhe do ta lehtësojë vendosjen e standardeve evropiane në zhvillimin e parkut kombëtar”, porositi Dehari.

Pjesa kryesore e komponentit për “Natura 2000” është puna në terren në të gjithë shtetin për vlerësimin e më shumë se 20 zonave potenciale. Qëllimi i komponentit për CITES është që të arrihet harmonizim i plotë i legjislacionit kombëtar me Rregullativën dhe konventën e CITES të BE-së për tregti ndërkombëtare me llojet e rrezikuara të faunës dhe florës së egër. (koha.mk)