Mali i Zi nuk hap kufijtë me Serbinë, reagon Vuçiqi: Vendim politik


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendimi i Malit të Zi për të mos hapur kufijtë për qytetarët serbë është “politik”.

“Nuk bëhet fjalë për parime. Shihet qartë se është politikë dhe unë e respektoj atë”, tha Vuçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Mali i Zi, nga 1 qershori, ka thënë se do të lejojë hyrjen e pasagjerëve nga vendet ku numri i rasteve aktive me koronavirus është më pak se 25 në 100,000 banorë.

Me propozim të Institutit të Shëndetit Publik, në Mal të Zi do të mund të hyjnë – pa karantinë dhe pa vetizolim – qytetarët e: Sllovenisë, Islandës, Kroacisë, Sllovakisë, Zvicrës, Shqipërisë, Austrisë, Norvegjisë, Monakos, Kosovës, Gjermanisë, Greqisë, Hungarisë, Danimarkës, Lituanisë, Letonisë, Azerbajxhanit, Luksemburgut, Bosnje dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Izraelit, Maqedonisë së Veriut, Republikës së Irlandës, Republikës Çeke, Finlandës dhe Estonisë.

Vuçiq tha se Serbia ka më shumë të infektuar, sepse kryen disa mijëra teste në ditë.

“Bëhet fjalë për mbrojtje serioze të popullit”, tha Vuçiq.

Mali i Zi, qysh më 5 maj, nuk ka regjistruar asnjë rast të ri të infektimit me koronavirus.

Autoritetet atje kanë thënë se lista e shteteve me të cilat do t’i hapin kufijtë do të përditësohet çdo javë.

Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Malit të Zi janë tensionuar qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kuvendi malazez ka miratuar një ligj për liritë fetare, që thuhet se konteston pronësinë serbe mbi disa kisha dhe territore në Mal të Zi.