Maksim Dimitrievski i padëshiruar edhe për një mandat në Kumanovë

Një sondazh i realizuar së fundi nga OJQ “Exitpoll” i cili i referohet periudhës para zgjedhjeve lokale në Kumanovë jep të dhëna aspak në favor të kreut aktual të Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Mandati i tij 4 vjeçar nuk vlerësohet nga pjesa dërmuese e qytetarëve të anketuar. Sipas tyre, Dimitrievski nuk ka punuar në përputhje me programin mbi të cilin kishte fituar besimin e qytetarëve.

Në pyetjen sa i takon vlerësimeve për punën e deritanishme, 33 për qind e qytetarëve kanë deklaruar “keq”, 21 për qind “shumë keq” që bashkërisht paraqet shumicën prej 54 për qind të vlerësimit negativ ndaj punës së Dimitrievskit.
Ndërkohë 14 për qind e qytetarëve i kanë dhënë vlerësimi “shumë mirë” ndërsa 30 për qind “mirë”. 2 për qind nuk kanë dashur të komentojnë.

Qytetarët e Kumanovës janë deklaruar se nuk do ta mbështesin për herët të dytë kandidaturën e Dimitrievskit. Në pyetjen nëse do të votonin përsëri për Maksim Dimitrievskin, 42 për qind e qytetarëve janë shprehur me “jo”, 19 për qind “asnjëherë”, 15 për qind “mbase”, 20 për qind “po” dhe 4 për qind kanë refuzuar të përgjigjen. Sondazhi tregon se mbi 60 për qind e qytetarëve nuk do ta mbështesnin Dimitrievskin edhe për një mandat, ose thënë ndryshe numri i qytetarëve që kërkojnë alternativë të re është për dy herë më i madh se numri i qytetarëve që mbështesin kreun aktual edhe për një mandat.

Qytetarët preferojnë një kandidat të ri nga partia aktuale në pushtet (LSDM). Të pyetur nëse mbështesin një kandidat të ri nga partia fituese në zgjedhjet e fundit, 39 për qind e qytetarëve janë shprehur “po”, 21 për qind me “mbase”, 19 për qind me “jo”, 15 për qind “asnjëherë” dhe 6 për qind nuk kanë refuzuar të përgjigjen.

Në pyetjen nëse mbështesin një kandidat maqedonas për kryetar komune, të anketuarit nga etnia shqiptare janë shprehur pozitivisht. 43 për qind e tyre përgjigjen me “po”, 25 për qind me “mbase”, 21 për qind me “jo”, 6 për qind “asnjëherë” dhe 5 për qind kanë refuzuar të përgjigjen.

Shqiptarët nuk mbështesin kryetarin aktual edhe për një mandat. Shumica e tyre janë deklaruar kundër ri-kandidimit të tij. 54 për qind e të anketuarve janë përgjigjur “jo”, 20 për qind kanë përgjigje koncize “asnjëherë”, 11 për qind “mbase” dhe 14 për qind janë deklaruar me “po”.

Atmosferë e njëjtë është edhe tek qytetarët nga etnia maqedonase. 39 për qind e tyre nuk mbështesin kryetarin aktual edhe për një mandat, sa kaq 22 për qind janë kategorik në përgjigjen e tyre “jo”. Kreu aktual gëzon mbështetje afër 20 për qind tek pala maqedonase në Kumanovë edhe për një mandat.

Kreu aktual gëzon mbështetje absolute tek komuniteti rom. 68 për qind e tyre janë shprehur me “po” në pyetjen nëse do ta mbështesin kryetarin aktual edhe për 4 vitet e ardhshme. 19 për qind janë përgjigjur me “mbase”, 7 për qind me “jo” dhe 4 për qind me “asnjëherë”. 2 për qind nuk janë deklaruar.

Anketa është realizuar në vigjilje të kandidaturave për kryetar komunash, kur partitë janë duke lakuar emrat e kandidatëve nëpër organet e tyre. Të dhënat dhe rezultatet bazohen në anketimin e afër 3000 qytetarëve nga Kumanova nga bashkësitë etnike: maqedonase, shqiptare dhe rome, si tre komunitetet me numrin më të madh në këtë qytet. Probabiliteti dhe rezultati kanë hapësirë gabimi nga 0.4-1.2 për qind.