Majko i reagon Vuçiqit: Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj


Ministri i Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko ka reaguar ndaj fotografisë së publikuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Fotografi kjo me hartën e Kosovës e të cilën e bëri pjesë të Serbisë.
Majko thotë se me publikimin e kësaj fotografie Vuçiqit tregon se i pëlqen papajtueshmëria dhe se ky është një problem i shtetit serb dhe seriozitetit të zgjedhur në Beograd.

Ai ndër tjera shkruan se Sovranitetin e Republikës së Kosovës garantohet nga NATO dhe jo nga instagrami.
Majko thekson se Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj.

“Me publikimin e fotos së Republikës së Kosovës me flamurin serb, Presidenti i Serbisë Vucic, tregon se i pëlqen papajtueshmëria. Ky është një problem i shtetit serb dhe i seriozitetit të zgjedhur në Beograd. Republika e Serbisë nënshkroi një deklaratë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë për të respektuar procesin e paqes rajonale. Diplomacia e fotove në instagram zhvlerëson seriozitetin e shtetit serb në mardhëniet ndërkombëtare. Sovraniteti i Republikës së Kosovë garantohet nga NATO dhe jo nga instagrami. Kjo është arsye e mjaftueshme që presidenti serb ti ofrojë shtetasve të vet, një të ardhme të cilën mund ta përballojnë. Roli i Gavrilo Principit në kohën e integrimit europian nuk mirëkuptohet. Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj! As në instagram”, ka shkruar Majko.