Mahmuti: Të burgosurit e harruar të “Rastit Kumanova”

Bardhyl Mahmuti
BABI IM S’KA FAJ!
Para 13 vjetësh, fushata e bastisjeve dhe terrorit shtetërorë kundër shqiptarëve të komunave të Likovës, Kumanovës, Haraçinës, Hasanbegut dhe Çairit, maltretimet dhe skenat poshtëruese të familjeve shqiptare, trishtimi dhe traumat e fëmijëve shqiptar, arrestimet arbitrare dhe dhuna e ushtruar ndaj të paraburgosurve që të pranojnë veprat të cilat nuk i kanë bërë dhe pankarta “Babi im s’ka faj” që shprehte revoltën e një fëmije në protestat kundër arrestimeve të shqiptarëve, provokuan kujtimet nga fëmijëria ime.

Gjysmë shekulli më parë, pas shpërthimit të demonstratave në Tetovë (më 22 dhe 23 dhjetorit 1968) territoret e banuar me shumicë shqiptare u vunë nën çizmen e terrorit komunist. Familjet shqiptare bastiseshin dhe burrat keqtrajtoheshin në prani të familjarëve të tyre, u viheshin prangat në sy të fëmijëve dhe të grave, tërhiqeshin zvarrë dhe dënoheshin në procese të montuara politike.
Dhuna dhe terrori shtetëror për disa muaj rresht mbajti nën orë policore, herë të shpallur e herë të pashpallur, territoret e banuara me shumicë shqiptare.
Thellë në kujtesën time kanë mbetur të ngulitura skenat e atij mëngjesi të 18 shkurtit 1969, kur u zgjova nga zhurma dhe ulërimat e njerëzve të maskuar dhe me uniforma policore që rrotullonin çdo gjë që u dilte para vetes, që thyenin çdo orendi shtëpiake, që futnin hundët në çdo vrimë për të gjetur ndonjë dëshmi për veprimtarinë nacionaliste të babait tim. Edhe pse nuk gjetën atë që kërkonin, babanë tim e morën me vete.

Më kanë mbetur thellë në kujtesë lotët e gjyshes (Hajries) dhe të motrës sime (Mirushes) që ishte 11 vjeçare, vetëm dy vjet më e madhe se unë.
Atë ditë, rrugës për në shkollë, kuptuam se në lagjen tonë kishin burgosur shumë shqiptarë. Arifit, shokut tim të klasës, ia kishin burgosur babanë; mësueses time, Emine Velës, ia kishin burgosur vëllain, … dhe në çdo klasë kishte ndonjë nxënës të cilit ia kishin burgosur babanë, xhaxhain, dajën….

Kur e arrestuan babanë tim, motra ime Mirushja bërtiti në kupë të qiellit: “Babai im s’ka faj”!
Tani, gjysmë shekulli më vonë, janë fëmijë të tjerë të cilëve u burgosen baballarët padrejtësisht.
Tani, pas gjysmë shekulli nga ajo kohë, janë fëmijët e Fatmir Reçicës, të Enver Hoxha Kleines, të Sami Ukshinit dhe të luftëtarëve të lirisë që klithin në kupë të qiellit të njëjtin refren: “Babai im s’ka faj”!

Kanë plotësisht të drejtë! U them se baballarët e tyre nuk janë fajtorë! Fajtorë janë ata që e konsiderojnë veten si “baballarë të kombit” dhe për interesa personale dhe grupore kanë futur sytë dhe veshët në lesh dhe as nuk duan të shohin e as nuk duan të dëgjojnë klithjet e shqiptarëve të pafajshëm.