Nga: Bardhyl Mahmuti
Në 20 vjetorin e aktit gjenocidar në Reçak, nënkoloneli serb Goran Radosavljeviq-Guri dhe kriminelët tjerë që kryen gjenocidin kundër shqiptarëve jetojnë të lirë në Serbi. Ndërsa në Hagë, prokurorë ndërkombëtarë të bazuar në dosjet e sajuara prej Shërbimit Sekret të Serbisë marrin në pyetje gjeneralë të UÇK-së!
Kjo është hipokrizi ndërkombëtare ndaj krimit të gjenocidit!
Po sjell për lexuesin pjesë nga dy artikujt e gazetarit Pierre Hazan, i cili në janar të vitit 1999 ishte i dërguari special në Kosovë i gazetës franceze “Libération”.
Në artikullin e titulluar: “Masakra e Reçakut: rrëfimi i një dëshmitari çelës….”, Pierre Hazan-i sjell rrëfimin e dëshmitarit:
“Rreth orës 15:45, një çerek ore pas përfundimit të të shtënave, forcat serbe u larguan nga fshati (…)
Ne vendosëm të hynim në Reçak. Një duzinë civilësh ishin aty në një gjendje tronditëse. Njëri nga ta na zgjati diçka. Njëri nga njerëzit e mi e mori. Papritmas konstatuam se ishte pjesë kafke. Përkthyesi ynë na shpjegoi se ky njeri sapo kishte gjetur kufomën e vëllait të vet, me kokë të copëtuar. Ne pamë një trup. Plumbi i kishte krisur mbi kokë dhe tërë kafka ishte copëtuar. Fshatarët na thanë se nja njëzet burra ishin arrestuar (…)
Ora ishte rreth 17:30. Bënte terr i zi. I mora 5 të plagosur. Të gjithë civilë. Këtë të premte, për herë të parë dhe të vetme, një grua na tha se burrat ishin dërguar për ekzekutim. Ajo ishte në gjendje tejet të shqetësuar. Vajza e saj ishte e plagosur. Jemi afruar rreth 400 ose 500 metra afër përroit, por nuk pamë gjë. Në orën 18:00 u larguam nga Reçaku…”
“Të shtunën në orën 8:45”- vazhdon tregimin vëzhguesi i OSBE-së, që gazetari e paraqet vetëm me emrin «Mike»- “ne u kthyem përsëri në Reçak. Ushtarët e UÇK-së ishin aty. Ata i zbuluan të vdekurit në të njëjtën kohë me ne (…).
“Disa media pretendojnë se ata kanë organizuar një inskenim për ta bërë të besueshme masakrën. Duhet të kishin qenë gjeni të inskenimit, të pajisur me një talent të jashtëzakonshëm për aktrim (…).
I morëm gëzhojat si prova. Ndoshta nja dy duzina gëzhoja dhe karikatorë. Ushtarët e UÇK-së i morën 9 shokët e tyre. Kufoma pa koka. I pashë nja njëzet kufoma në përrua, të ekzekutuara me nga një plumb në kokë. Mandej kufoma të tjera përreth. Këta, sipas asaj që shihej, kanë tentuar të iknin. Pastaj zbrita në fshat, aty ku viktimat ishin vrarë me nga një plumb në kokë ose duke u përpjekur të iknin….”
“Pashë trupin e një djaloshi 12-vjeçar, i vrarë me një plumb pas qafe, pranë kufomës së babait të vet. Pashë kufomën e një burri pa kokë, të cilën e gjeti vëllai i tij. I kishin mbetur flokët e hequra me lëkurën e kafkës. A janë gjymtuar këta trupa apo kafshët ua kanë ngrënë mishin? Nuk e di! Vëllai i vuri ndërmjet shpatullave atë që kishte mbetur nga koka…”
“Ishim të sigurt se të gjithë do të vdesim”,
Pierre Hazan-i filloi dëshminë e fshatarëve të Reçakut me thëniet e një fëmije të vrarë në këtë aksion.
“Kujdes mami, ata do të vrasin!”, ishin fjalët e fundit të Halim Beqirit, 12-vjeçar. Një plumb e goditi pas qafe. Kishte gjak në gojë. Isha dy metra larg. Serbët shtinin nga të gjitha anët. Nuk mund të afrohesha. ‘Ata e vranë edhe burrin tim. Ai ishte pranë djalit tonë’” rrëfente nëna e tij, Eminja.
“Burrat u ndanë në disa grupe. Nja 20 veta u dërguan mbi fshat. Na thanë se do të na çonin në stacionin policor. Por dëgjoheshin krisma nga të katër anët”, tha Rama, një burrë rreth dyzet vjeç. “Pjesa tjetër e grupit u dërguan në përrua. Policët serbë i prisnin që t’i vrisnin.”
“Të shtunën, trupat e këtyre njëzet burrave ishin ende njëri mbi tjetrin, në pozicionin që ishin vrarë. Ishin ekzekutuar nga afër. Një vdekje e përgatitur dhe e ekzekutuar me gjakftohtësi. Në orën 17:00 serbët u tërhoqën. Të mbijetuarit filluan të lëvizin. Një nga shtëpitë e para të fshatit, afër xhamisë, ishte ajo e Banush Azemit, 62-vjeçar. Kufoma e tij, pa kokë, ishte pranë shtëpisë së tij. Vëllai i tij, Bedriu, 55-vjeçar, kërkonte kokën. Fshatarët e gjetën më vonë. Në fshat ishte edhe një kufomë e një burri të gjymtuar. Një adoleshent sapo kishte gjetur kufomat e tre vëllezërve të tij…” “E shtunë pasdite”, vazhdon Pierre Hazan-i.
“Ora ishte gati 15:00 kur erdhi gjenerali Walker, shefi i Misionit të OSBE-së. Të mbijetuarit nga kjo ngjarje e dërguan Walker-in te përroi ku ishin të shtrira mbi njëzet viktima”. “Janë vrarë me nga një plumb në kokë ose pas qafe”, deklaroi pa asnjë dyshim William Walker-i…
Më gjerësisht Kapitulli i Tretë i librit «Mashtrimi i Madh»