Votimi në zgjedhjet e sotme të parakohshme brendapartiake për kryetar të LSDM-së zhvillohet pa probleme dhe pa vonesa. Të gjitha 194 vendvotimet në 80 komuna janë hapur me kohë, në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm, ndërsa vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 19:00, njoftoi në konferencën për shtyp kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të partisë, Viktoria Madiq.
Ajo shtoi se për tre orë që nga hapja e të gjitha qendrave të votimit, pjesëmarrja është12 për qind.
“LSDM-ja ka vendosur standarde të reja më të larta në skenën politike maqedonase. Sot mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme brendapartiake për kryetar të LSDM-së. Votimi në të gjitha qendrat e votimit u zhvillua pa probleme, pa vonesa, në një atmosferë demokratike dhe me respektim të masave mbrojtëse kundër KOVID-19”, tha Madiq.
Siç theksoi ajo, anëtarët që nuk kanë arritur të regjistrohen gjatë periudhës së para regjistrimit, sot regjistrohen në qendrat e votimit, pas së cilës mund të ushtrojnë të drejtën e votës. Madiq ka sqaruar se të gjithë anëtarët e LSDM-së me kartë anëtarësimi elektronik kanë të drejtë vote.
“Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00 kur do të zgjasë votimi. Pas mbylljes së vendvotimeve dhe përpunimit të të dhënave të marra, sonte do t’i drejtohemi sërish publikut me informacione përmbledhëse, pas së cilës do t’i shpallim rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme brendapartiake”, tha Madiq.