Macron urdhëron riorganizim të stafit, pas incidentit nga truproja

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, urdhëroi ndryshime në staf, pas shfaqjes së një videoje që tregonte ndihmësin e tij – tani i shkarkuar – duke rrahur një protestues.

I përballur me presion në rritje, Macron mblodhi të dielën disa ministra për të diskutuar çështjen.

Alexandre Benalla, i cili ka qenë truproja kryesore e Macronit, është parë duke tërhequr zvarrë një grua dhe më pas duke rrahur një burrë, gjatë protestave për Ditën e Majit në Paris, transmeton REL.

Ai është akuzuar për dhunë në grup dhe për veshjen e një simboli të policisë në mënyrë të paligjshme.

Benalla është shkarkuar të premten.

Një zyrtar tha se Macron e ka përshkruar incidentin si “të papranueshëm” dhe se ka premtuar se nuk do të kalojë pa u ndëshkuar.

Zyrtari i lartë presidencial, Alexis Kohler, do të mbikëqyrë riorganizimin e zyrës së Macronit për të parandaluar përsëritjen e incidentit, thanë zyrtarët në kushte anonimiteti.

Presidenca franceze është akuzuar se ka qenë e vetëdijshme për incidentin për disa kohë dhe se është përpjekur ta mbulojë atë, duke mos vepruar me shpejtësi kundër Benallas.