Macron: Turqia nuk është më një partner i BE në rajon


rejtuesit e shtatë vendeve evropiane në Mesdhe kanë deklaruar se janë të gatshëm të mbështesin sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Turqisë nëse Ankaraja shmang dialogun mbi përshkallëzimin e tensioneve në det. Gjatë samitit të Korsikës presidenti Macron nuk e fshehu zemërimin me presidentit turk Rexhep Tayyip Erdogan.

France 24 shkruan se para samitit ai deklaroi se Turqia nuk ishte më partner i BE-së dhe se evropianët meritonin një qasje pak më të ndryshme nga ajo që po ndiqet aktualisht nga qeveria. “Ne Evropianët duhet të jemi të qartë dhe të vendosur me qeverinë e presidentit Erdogan e cila sot po sillet në një mënyrë të papranueshme” u tha Macron gazetarëve para fillimit të samitit.

Ai tha se për momentin Turqia nuk ishte “më një partner në rajon” për shkak të sjelljes së saj. Macron shtoi se Turqia kishte “intensifikuar provokimet në një mënyrë që nuk është e denjë për një shtet të madh. Populli turk është një popull i madh dhe meriton diçka tjetër”. Por në një përgjigje të formuluar fort, ministria e jashtme turke i përshkroi komentet e Macron si “arrogante” dhe një shenjë “e dobësisë dhe dëshpërimit të tij”.

Lideri francez priti homologët e gjashtë vendeve të tjera të BE-së në samitin e Korsikës, përfshirë Greqinë, rivalin më të madh të Turqisë, i cili është në mosmarrëveshje për fushën e gazit natyror në Mesdhe. Franca ka mbështetur fuqimisht Greqinë dhe Qipron në një konflikt në rritje me Turqinë mbi burimet e gazit dhe ndikimin detar në Mesdheun lindor, duke shkaktuar frikë nga konflikte më serioze.

Anëtarët e NATO-s, Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje shkaku i rezervave të gazit natyror dhe caktimit të territorit në det. Greqia dhe Turqia pretendojnë të drejtën për të shfrytëzuar burimet e energjisë në zonën e diskutueshme. Turqia ka dërguar anije kërkimore në zonën e diskutueshme, ndërsa anëtarët e BE-së kanë dërguar anije për të mbështetur Greqinë. Ankaraja dhe Athina po kryejnë stërvitje ushtarake me anije luftarake dhe aeroplanë.