Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë të premten se qeveria e tij do të zbulojë një ligj të propozuar për të luftuar “separatizmin Islamist” më vonë këtë vit, një çështje veçanërisht e ndjeshme në një vend të lidhur fort me sekularizmin.
Sipas France24, përcjell Telegrafi, në një fjalim në rajonin e Parisit, presidenti francez detajoi planet për një ligj për të luftuar atë që ai identifikon si favorizimin e ligjeve fetare mbi vlerat republikane, sekulare të Francës – një qëndrim që ai e quan “separatizëm”.
Po sipas France24, Macron e përshkroi Islamin si “një fe që është në krizë në të gjithë botën sot” ndërsa përqendroi fjalimin e tij kryesor në betejën kundër radikalizmit islamik në Francë.
Siç shkruan mediumi francez, presidenti Macron tha se Islami ishte në krizë për shkak të “një forcimi ekstrem” të pozicioneve.
Ai njoftoi se qeveria do të paraqiste një projektligj në dhjetor që synon forcimin e sekularizmit në Francë, kundër asaj që ai e përshkroi si “separatizëm islamik” në vend.
“Islami në Francë duhet të lirohet nga ndikimi i huaj”, citohet të ketë thënë ai, duke premtuar mbikëqyrje të përmirësuar të financimit të xhamive.
Macron tha se legjislacioni i propozuar do të synonte të siguronte që jeta publike në Francë të pasqyrojë vlerat e laïcité, ose laicizmit shtetëror, një parim ligjor që ndau kishën dhe shtetin dhe mandatoi neutralitetin e Francës ndaj fesë.
“Sekularizmi është çimentoja e një France të bashkuar”, këmbënguli Macron, ndërsa shtoi: “Le të mos biem në grackën e hedhur nga (…) ekstremistët, të cilët synojnë të stigmatizojnë të gjithë myslimanët”.