Lum Rrahmani, djali kosovar me inteligjencë superiore

Gjeniu gjashtëvjeçar nga Kosova që fitoi garën në Dubai, njohuritë dhe inteligjenca që posedon kalojnë normalen
Quhet Lum Rrahmani, është vetëm gjashtëvjeçar, njohuritë dhe inteligjenca që posedon kalojnë normalen, duke bërë kështu djalin e vogël me inteligjencë superiore, transmeton albinfo.ch.

Duket se fillimi i këtij viti ishte i mbarë dhe me shumë suksese për Lumin, ai arriti që të zërë vendin e parë në garën ndërkombëtare të organizuar nga Brainobrain të mbajtur virtualisht në Dubai.
Lumi është nga ata fëmijët që nuk flet shumë kur ti i bën pyetje, madje edhe për fitoren e tij ai mjaftohet duke u përgjigjur, ‘po jam ndier shumë i lumtur’, e më pas vazhdon duke të thënë se ka qenë i bindur që do të fitonte.

Matematika nuk është gjëja e vetme që i pëlqen Lumit, ai interesohet edhe për planetet, madje i pëlqen edhe të shikojë e të luajë futboll. Nëna e tij tregon se Lumi qysh i vogël çdo herë i ka interesuar të dijë më shumë për planetet, lojtarët që luajnë në fushat sportive, madje edhe për të mësuar më tepër për qytetet ku ata vijnë.