Lul Raka paralajmëron: Në shtator do kemi dy viruse përballë

Kosova është duke u përgatitur për krijimin e kapaciteteve shtesë për përballjen me COVID-19 në muajin shtator atëherë kur sipas profesionistëve shëndetësorë Kosova do të përballet edhe me virusin sezonal dhe eventualisht mund të ketë rritje të numrit të raste me koronavirus dhe për këtë arsye janë duke u bërë përgatitje për funksionalizimin e një spitali të përkohshëm me deri 500 shtretër.

Mikrobiologu në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës Lul Raka, thotë për Radion Evropa e Lirë se përballja me COVID-19 sëmundjen që e shkakton koronavirusi do të jetë edhe më e vështirë në shtator kur shfaqet edhe gripi sezonal dhe kur temperaturat fillojnë të bien.

“Në shtator kur kemi gripin sezonal, kur fillon ftohja e motit dhe kur një pjesë e madhe e njerëzve qëndrojnë brenda nëpër lokale, kjo besoj që do të vështirësojë edhe më shumë përballjen me virusin. Do të kemi dy viruse përballë – koronavirusin dhe virusin sezonal”, thotë Raka.

Ai shton se me paraqitjen e gripit sezonal, gjendja do të jetë më sfiduese për Kosovën, dhe se do të jetë një infeksion akut viral,ku transmetohet direkt nga një person i sëmurë te tjetri përmes spërklave gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe në mënyrë indirekt me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit sezonal.

Dallimi mes koronavirusit dhe viruseve sezonale, sipas profesionistëve shëndetësorë, është se koronavirusi i ri është më i ashpër se viruset sezonale, pikërisht për shkak të përhapjes së shpejtë që ka,ndërkaq, sa i përket simptomave, ka ngjashmëri, si: ethe, temperaturë, dhimbje fyti, të vjella, diarre, kokëdhimbje etj.