Luksi i Ramiz Merkos nuk ndalet as gjatë pandemisë, 78.000 euro për dreka e darka

Komuna e Strugës gati dy ditë hesht për shpenzimet e bëra nëpër restorante në vlerë prej 27,500 eurove, në kohë kur restorantet kanë qenë të mbyllura pjesën më të madhe të vitit. Kryetari Merko nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike. Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Mileski, u shpreh se shpenzimi i parave të qytetarëve për qëllime të tilla duhet të kufizohet në mënyrë rigoroze.

I dë*noj shpenzimet e tilla joproduktive. Ai që është lakmitar dhe pret të vijë në pushtet për të ngrënë, nuk e ka vendin në pushtet dhe ai duhet të zëvendësohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Kurse shteti duhet të gjejë mekanizma për zyrtarë të tillë të uritur, që kur të vijnë në pushtet, t’i kufizojë dhe t’i parandaluar të shpenzojnë para për gjëra të tilla të parëndësishme’ deklaroi Goran Mileski- ministër i vetëqeverisjes lokale.

Opozita aku*zoi se në tre vitet e kaluara gjegjësisht prej vitit 2018 deri në vitin 2020, për të njëjtin qëllim, Merko ka shpenzuar rreth 78,000 euro. Por, gjërat nuk ndalen këtu, pasi me buxhetin e vitit 2021, 3 milion denarë ose rreth 50,000 euro janë në dispozicion të tij. Aleanca për Shqiptarët dyshon se paratë janë keqpërdorur, nëse dihet që prej 11 marsit, shteti ka qenë në izolim kurse restorantet kanë qenë të mbyllura gjatë kohë. Ata gjithashtu akuzojnë se administrata e komunës ka shpenzuar 16.000 euro vitin e kaluar në emër të reprezentacionit kurse kryetari i këshillit rreth 12,000 euro. Kjo ndodh në kohë kur Struga duhet ta zgjidhë problemin me furnizimin me ujë dhe deponinë e qytetit. Ndryshe, në mandatin e tij të tretë, Merko bleu makinë luksoze Audi A6 në vlerë prej 67,000 euro kurse u blenë dhe katër makina të tjera për nevojat e komunës. Gjithsej janë shpenzuar 114,000 euro.