Lu*fta në Ukrainë – A e ngadalëson integrimin e Maqedonisë së Veriut

Procesi për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut nuk do të ngadalësohet për shkak të lu*ftës në Ukrainë, përkundrazi ai mund të përshpejtohet për shkak të rrethanave të reja gjeopolitike dhe nevojës për ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe më gjerë. Kështu kanë deklaruar të enjten në Shkup, ambasadori francez në Maqedoninë e Veriut, Cyrille Baumgartner, në një konferencë për media së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian, David Geer.

“Procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut i japim një rëndësi strategjike. Kjo është diçka që tashmë është pranuar dhe autoritetet franceze kanë arsye që këtë ta theksojnë publikisht në shumë raste se Maqedonia e Veriut ka përmbushur të gjitha kushtet që kërkohen nga BE-ja. Sipas nesh, por mendoj edhe vendeve tjera, Maqedonia e Veriut viteve të fundit ka bërë përparime dhe ka shpejtuar dinamikën e afrimit drejt BE-së. Ne e themi se ky proces është shumë i rëndësishëm për shkak të stabilitetit rajonal. Edhe sot e them se kontesti i ri gjeopolitik vetëm sa i përforcon këto vlerësime tonat”, ka deklaruar ambasadori francez Cyrille Baumgartner, vendi i të cilit kryeson me BE-në.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, David Geer, tha se qëndrimi i BE-së, mbetet i pandryshuar nga ai i samitit në Bërdo të Sllovenisë, se interes strategjik i BE-së është që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e BE-së. Sipas tij, ngadalësim të procesit nuk do të ketë për shkak të situatës në Ukrainë, madje, sipas tij, zhvillimet e reja mund t’i japin shtytje procesit, porse për këtë, theksoi ai, nevojitet përmbushja e reformave të nevojshme.

“Sa i përket procesit të aderimit, mendoj se situatën, të cilën po e shohim, vetëm sa e përforcon ajo që e dëgjuam nga liderët e Bashkimit Evropian tetorin e kaluar në Bërdo, se kemi interes strategjik që këtë shtet ta shohim si anëtare të BE-së. Pra kjo u tha nga të gjithë liderët evropianë, andaj edhe mbetet mesazhi kyç që ne e themi se interes strategjik, interes i ndërsjellë është që ta shohim këtë vend si anëtare të BE-së. Por, kuptohet se ky proces i aderimit duhet të kalojë përmes përmbushjes së reformave, është një proces që do ta afrojë atë pranë BE-së. Reformat duhet të vazhdojnë dhe BE-ja mbetet e përkushtuar edhe më shumë tani me situatën e re të krijuar”, deklaroi Geer.

Pasi dënuan agresion rus në Ukrainë duke i dhënë mbështetje ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dy ambasadorët thanë se BE-ja po bën gjithçka të mundur për ndalimin e pushtimit rus. Ata theksuan se “sanksionet kundër Moskës dëshmuan unitetin dhe fuqinë mes shteteve të BE-së për të qenë pranë Ukrainës dhe popullit të saj duke besuar se do të japin rezultate në ndalimin e veprimeve lu*ftarake pushtuese të Moskës.

Ata, gjithashtu, shprehën mirënjohje për pozicionin e Maqedonisë së Veriut në mbështetje të sanksioneve kundër Rusisë, dënimin e agresionit dhe gatishmërinë për të ndihmuar dhe pranuar refugjatë që ikin nga vatrat e luftimeve në Ukrainë.

Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë si “kërcënim për paqen dhe stabilitetin në botë dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe kërcënim për sigurinë euroatlantike”./REL/