Lufta në Jemen, mbi 85 mijë fëmijë mund të kenë humbur jetën nga uria


Rreth 85 mijë fëmijë nën moshën 5 vjeç mund të kenë vdekur nga uria dhe sëmundjet që nga shpërthimi i luftës civile në Jemen në vitin 2015, njoftoi të mërkurën grupi ndërkombëtar i ndihmës “Save the Children”.

Organizata i bazoi gjetjet tek shifrat e saj mbi normat e vdekshmërisë për rastet e patrajtuara të Kequshqyerjes së Rëndë Akute tek fëmijët e vegjël. Sipas Kombeve të Bashkuara më shumë se 1.3 milionë fëmijë kanë vuajtur nga Kequshqyerja e Rëndë Akute që kur një koalicion i udhëhequr nga sauditët u fut në luftë me rebelët Houthi të Jemenit, në mars të 2015-s.

Sipas organizatës “vlerësimi konservativ” i saj tregonte se 84.701 fëmijë mund të kenë vdekur, bazuar në studime historike që zbulojnë se 20 deri në 30 për qind të rasteve të patrajtuara çojnë në vdekje. Organizata tha se llogariti shifrën bazuar në numrin e rasteve të raportuara në zonat ku grupet e ndihmës nuk ishin në gjendje të ndërhynin.

“Fëmijët që vdesin në këtë mënyrë vuajnë pafundësisht kur funksionet e organeve të tyre jetësore ngadalësohen dhe pastaj ndalen përfundimisht”, tha Tamer Kirolos, drejtor i “Save the Children” për Jemenin, raporton VOA.

Lufta ka shkaktuar krizën më të rëndë humanitare në botë. Tre të katërtat e popullsisë së Jemenit kërkojnë ndihmë për jetën dhe më shumë se 8 milionë janë në rrezik të vdesin urie. Mendohet se me dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë në luftime.

“Save the Children” fajësoi për situatën një bllokadë të krijuar nga sauditët që u përkeqësua një vit më parë pasi rebelët e lidhur me Iranin hodhën një raketë balistike në kryeqytetin saudit, Riad.

Vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në konsullatën e Riadit në Stamboll ka rikthyer vëmendjen tek lufta dhe shkatërrimi në Jemen. Shtetet e Bashkuara e kanë zvogëluar mbështetjen e tyre për koalicionin dhe kanë bërë thirrje për një armëpushim deri në fund të këtij muaji. I dërguari amerikan Martin Griffiths tha se të dyja palët kanë rënë dakord të marrin pjesë “së shpejti” në bisedimet për paqe.

Por përpjekje të mëparshme për paqe nuk kanë arritur të prodhojnë ndonjë marrëveshje për të ndaluar dhunën.