Lufta kundër FETO-s vazhdon edhe në Ballkan


Krahas vendeve të tjera, edhe në Ballkan bëhet përpjekje e madhe për sjelljen e anëtarëve të organizatës terroriste FETO para drejtësisë, mbylljen e shkollave dhe bizneseve të tyre.

Shtetet si Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë Hercegovina nuk e njohin zyrtarisht FETO-n si organizatë terroriste, por liderët e këtyre vendeve vazhdimisht shprehen se FETO është organizatë e tillë, raporton AA.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në fjalimin e tij me rastin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke më 21 dhjetor të vitit të kaluar, e cila është festa kombëtare e turqve në Maqedoni, për herë të parë FETO-n e cilësoi si “organizatë terroriste”. Gjithashtu, edhe kryetari i Kryesisë së BeH-së, Bakir Izetbegoviç, shumë herë ka thënë se “FETO është organizatë terroriste tradhtare”.

Tabela e Kolegjit Yahya Kemal e lidhur me FETO-n, që po vepron në Maqedoni, që gjendej në sheshin Maqedonia në Shkup, në muajin janar u tërhoq me iniciativat e Halkbank Shkup. Në vendin ku më parë gjendej tabela e Yahya Kemal tashmë janë të pranishëm “Fondacioni Maarif i Turqisë” dhe “Halkbank”.

Gjithashtu, theksohet se shkolla e lidhur me FETO-n e cila është duke u ballafaquar me probleme financiare, drejtorinë e përgjithshme e ka transferuar në ndërtesat e tjera të saj.

– Operacioni në Kosovë ishte goditje e rëndë

Lufta kundër FETO-s në Ballkan fitoi një dimension tjetër pasi gjashtë pjesëtarë të FETO-s u sollën në Turqi më 29 mars përmes një operacioni të MIT-it. Operacioni në fjalë i dha goditje të fortë strukturimit të FETO-s në Ballkan.

Ministri i Brendshëm Flamur Sefaj dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) Driton Gashi kishin dhënë dorëheqje pas operacionit me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj.

– Dredhi nga FETO në Shqipëri

Një zhvillim tjetër në lidhje me luftën kundër FETO-s në Ballkan ishte edhe arrestimi i dy shtetasve turq në Kosovë dhe Shqipëri në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Muhammed Yasir Aydoğmuş së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, ishte kapur në tentativë për të kaluar kufirin nga Porti i Durrësit në Itali, ndërsa për të u mësua se ka kërkuar azil politik nga Shqipëria.

Personi në fjalë supozohet të jetë nga një ekip “trollësh” në internet i cili ka siguruar informata për “Fuat Avni” të organizatës terroriste FETO në Twitter, që në vitin 2016 ishte zbuluar nga Kryeprokuroria Publike e Stambollit.

Ndërkaq, Uğur Toksoy, i dyshuari për pjesëmarrje në organizatën terroriste FETO për të cilin ka urdhër arresti ndërkombëtar, ishte arrestuar në Prizren të Kosovës. Për Toksoy pretendohej se bashkëpunonte me institucionet arsimore dhe fondacionet e Gülen-it në Kosovë.

Ndërkohë, pjesëtarët e FETO- s në Shqipëri u përpoqën ta mashtrojnë opinionin duke ia transferuar kolegjin “Turgut Özal” kompanisë “BF Cooperatief U.A”, e cila gjithashtu njihet për afërsinë me FETO-n në Holandë.

– Lufta kundër FETO-s vazhdon edhe në Bosnjë Hercegovinë

Një vend tjetër Ballkani ku organizata terroriste është aktive është Bosnjë dhe Hercegovina.

Institucionet arsimore “Bosna Sema” pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016 nga organizata terroriste FETO, ndërruan dy herë pronarin, për shkak se pësuan humbje të nxënësve.

Brenda dy viteve, shkollat iu shitën një institucioni të quajtur “Global Education” me qendër në SHBA, ndërsa më pastaj i janë transferuar një institucioni tjetër britanik me emrin “Richmond Park Education”.

Ndërkohë, nëse shikohen llogaritë në rrjetet sociale të punonjësve të këtij institucioni që vazhdimisht mohon lidhjen me FETO-n para opinionit në Bosnjë dhe Hercegovinë, mund të shihet shpërndarje e fjalëve të kreut të organizatës Fetullah Gülen dhe mbështjetje për basketbollistin Enes Kanter dhe pjesëtarët e FETO-s që u gjykuan në Turqi për tentativën për grusht shteti.

Univeristeti Ndërkombëtar Burch i lidhur me FETO-n, pas tentativës për grusht shteti, pësoi humbje të shumë studentëve të saj.

Këto institucione, edhe pse çdo herë mohojnë se janë të lidhura me FETO-n, nuk hezitojnë të padisin personat dhe institucionet që publikojnë lajme në lidhje me to.