Lu*fta e dytë e familjes kosovare-ukrainase, Zeka-Michailenko

Më shumë se njëzet vjet më parë, shqiptari i Kosovës Zeqir Zeka iku nga lufta në Kosovë me gruan e tij ukrainase dhe fëmijët e tyre. Tani nëna, vëllai dhe motra e Janës janë duke ikur – nga pushtimi i Putinit.

Historia e Jana Michailenkos dhe Zeqir Zekës filloi në Kiev në vitin 1992. Ukrainasja 19-vjeçare ia nguli sytë inxhinierit elektrik 33-vjeçar, i cili punonte për një kompani zvicerane në Ukrainë. Ajo ishte tërhequr nga pamja e tij mesdhetare. “Ai dukej si një italian, por më tha se ishte nga Kosova. Më duhet ta pranoj se nuk kisha dëgjuar kurrë për atë vend në jetën time”, kujton Jana në një intervistë.

Në atë kohë, Jana dhe Zeqiri jetonin në Podol, një lagje e kryeqytetit ukrainas Kiev, ku takoheshin shpesh. Dhe pastaj ata ranë dakord për takimin e parë – në kishën e famshme të Shën Andreas. Dhe që atëherë ata janë çift. Kur Zeqiri u transferua në qytetin më të ftohtë në botë, Yakutsk në Rusinë Verilindore, i cili është 6000 kilometra dhe gjashtë zona kohore larg Kievit – Jana shkoi me të.

Menjëherë pas kësaj, Jana mbeti shtatzënë. Adriani lindi më 13 shtator 1993, fëmija i parë i një çifti kosovaro-ukrainas. Jana dhe Zeqiri vendosën të martohen – por për shkak të distancës mes Kosovës dhe Kievit nga njëra anë dhe Yakutias nga ana tjetër, familjarët nga Kosova dhe Ukraina nuk mundën të merrnin pjesë në dasmë. Kështu ata të dy kanë festuar dasmën me beben dhe miqtë e rinj rusë.

Një vit më vonë, Zeqiri arriti të bindë punëdhënësin e tij që ta transferonte në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Jana më në fund takoi familjen e të shoqit. “Isha e kënaqur me mirësinë dhe mirëpritjen që më bënë prindërit e Zeqirit dhe kushërinjtë e mi të rinj – shqiptarë të Kosovës”, kujton ukrainasja Jana.

Vizitë nga Kievi
Në të njëjtin vit, nëna e Janës, Vira, erdhi në Prishtinë dhe qëndroi atje për një muaj për të parë nipin e saj dhe për të takuar familjen e dhëndrit. Ishte vizita e parë dhe e fundit e një gjysheje ukrainase deri në fund të viteve 1990. Vira kishte frikë të udhëtonte në Kosovë sepse konflikti mes popullatës shumicë shqiptare dhe shtetit serb po përshkallëzohej.

Në atë kohë, Kosova ishte nominalisht një “krahinë autonome” e Serbisë, por të drejtat e lidhura me autonominë u hoqën nga Sllobodan Millosheviqi në fund të viteve 1980. Që atëherë, shqiptarët e Kosovës – pothuajse 90 për qind e popullsisë së krahinës – kanë qenë në disavantazh krahasuar me pesë deri në shtatë për qind të popullatës serbe. Shumë shqiptarë prej vitesh kanë protestuar në mënyrë paqësore kundër kësaj. Megjithatë, duke qenë se gjendja e tyre nuk ka ndryshuar, ka pasur përplasje në rritje me forcat serbe të sigurisë që nga viti 1996.

Lu*fta në Kosovë
Në vitin 1996, Jana dhe Zeqiri patën një vajzë, Arditën. Atë vit e gjithë familja Zeka mori pjesë në demonstratat në Kosovë. Pjesëmarrësit u arrestuan dhe u keqtrajtuan nga policia serbe. Kjo i la një shenjë të veçantë Adrianit: sa herë që shihte një person me uniformë, ai pësonte sulme frike. Në vitin 1998, Jana dhe Zeqiri ikën në Angli me Adrianin dhe Arditën.

Aty lindi vajza e tyre e dytë, Miranda. Vetëm në vitin 2000, pas përfundimit të lu*ftës në Kosovë, ata u kthyen në Kosovë, e cila ndërkohë është nën administrimin e OKB-së. Menjëherë pas kësaj, Zeqirit i vdesin prindërit. Që atëherë, fëmijëve u mbetën vetëm gjyshja Vira në Kiev, ku jetojnë edhe motra e Janës, Alla dhe vëllai i saj Michael.

Në vitin 2003, Jana, Zeqiri, Adriani, Ardita dhe Miranda më në fund arritën të udhëtonin së bashku në Ukrainë. Nuk kishte probleme me komunikimin: përveç ukrainishtes, Jana flet rrjedhshëm edhe rusishten dhe shqipen e ka mësuar nga i shoqi. Dhe ai, përveç gjuhës shqipe, flet edhe anglisht dhe serbisht. Në shtëpi, familja Zeka komunikon kryesisht në gjuhën shqipe, por Jana u mësonte fëmijëve edhe rusishten, pasi gjuha flitet më shumë se ukrainishtja e saj amtare. Ky vendim nuk kishte asnjë rëndësi politike.

Lu*fta në Ukrainë
Kjo ndryshoi rrënjësisht më 24 shkurt 2022. Që atëherë, të afërmit ukrainas të familjes Zeka janë kërcënuar drejtpërdrejt nga agresioni rus – ashtu siç u kërcënuan edhe ata vetë nga lufta në Kosovë në fund të viteve 1990. Çdo ditë, bomba dhe raketa të lëshuara nga ushtria ruse godasin ndërtesat civile dhe ndërtesat e banimit në Ukrainë.

Kjo situatë është më e rrezikshme se çdo gjë që ka përjetuar familja Zeka deri më tani. Jana është e lumtur që gjyshja Vira dhe vëllezërit e motrat e saj arritën të arratiseshin nga Kievi dhe tani janë afër kufirit me Sllovakinë. Por, edhe pse mund t’i bashkohen familjes Zeka në Kosovë, ata nuk duan të largohen nga Ukraina.

“Unë flas me nënën time çdo ditë, që të di që ajo dhe vëllezërit e motrat e mia janë mirë”, tha Jana për DW. “Është shumë e vështirë për mua të mos bëj asgjë për ta. Gjithçka që dua është të përqafoj sërish mamin, motrën dhe vëllain. Unë vetëm mund të lutem që ata të mbesin gjallë dhe të mos ndodhë asgjë me ta”. /DW/