Aplikacioni i krijuar nga “Lucky Media” në Gostivar jep mundësinë qytetarëve të disa shteteve të BE-së që në kohë reale të ndjekin kohën e saktë të iftarit dhe syfyrit gjatë muajit të ramazanit. Ky aplikacion i cili quhet Ramazan.mk fillimisht u krijua vitin e kaluar ndërkaq këtë vit ka disa risi, potencoi Lokman Musliu, një ndër krijuesit e të njëjtit.
Besimtarët musliman në tetë shtete të Bashkimit Evropian do të kenë mundësi që në mënyrë të digjitalizuar të ndjekin në kohë reale kohën e ngelur deri në iftar apo syfyr, edhe atë përmes aplikacionit të krijuar nga të rinjtë e kompanisë “Lucky Media” në Gostivar.
Cilat shtete kanë qasje në këtë aplikacion?
Aktualisht, sipas një ndër themeluesit e aplikacionit, Lokman Musliut, shtetet, të dhënat e të cilave janë në aplikacion janë: Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Italia, Gjermania, Zvicra, Sllovakia dhe Austria.
Musliu potencoi se gjatë vitit të ardhshëm do të mundohen që kjo listë e shteteve të zgjerohet sa më shumë, në mënyrë që aplikacioni të jetë i qasshëm për të gjithë që kanë nevojë për atë, pa marrë parasysh shtetit ku jetojnë.
Shifrat e shikimeve të Ramazan.mk vetëm dy ditë pas lansimit janë shumë optimiste, siç theksoi Lokmani, për dy ditë numri i shikuesve në këtë aplikacion ka arritur deri në 9.000 persona.
Si mund të regjistrohet aplikacioni në telefon?
Përmes një video incizimi, kreatorët e aplikacionit Ramazani.mk ju shpjegojnë mënyrën më të lehtë me vetëm dy klikime për të regjistruar këtë aplikacion në telefonin tuaj celular.