Luajtën me një bombë në një festë në Knin të Kroacisë – një person humbi jetën, katër të tjerë u plagosën rëndë

Një djalë 25-vjeçar ka humbur jetën dhe katër persona të tjerë janë plagosur rëndë nga shpërthimi i një bombe dore gjatë një feste në qytetin Knin të Kroacisë.

Sipas gjetjeve të para të hetimit, bombën “M-75” në festë e kishte sjellë një nga djemtë dhe ajo ishte aktivizuar në duart e një moshatari të tij, i identifikuar si M.P. Dy djem, të moshave 23 dhe 25 vjeç, një vajzë 21-vjeçare dhe një tjetër vajzë e mitur janë plagosur rëndë. Vajza e mitur, e cila është në gjendje kritike, është transferuar në spitalin e Splitit.

Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm “Hrvatski ponos” në Knin deklaroi se lëndimet e të rinjve janë shumë të rënda. Një person është operuar urgjentisht, ndërsa të tjerët, që kanë plagë në kraharor, ndodhen në kujdes intensiv. Ata do të transferohen për trajtim të mëtejshëm në Split sapo të stabilizohet gjendja e tyre. Policia ka apeluar qytetarët që mbajnë ose fshehin armë dhe eksploziv në shtëpitë e tyre t’i dorëzojnë menjëherë, pa u përballur me ndonjë ndëshkim ose masa ligjore.