LSI kërkon të anulohet karantina dyjavore për shtetasit e Maqedonisë dhe Greqisë

Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar në Gjykatën Administrative të Tiranës një kërkesë për anulimin e vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për vendosjen e karantinës për dy javë për shtetasit shqiptarë të cilët vijnë nga Greqia dhe Maqedonia.

Për LSI-në, ky vendim është arbitrar dhe në shkelje të hapur me kushtetutën.
“Këtë akt administrativ ne e konsiderojmë të marrë pa prova, me qëndrime të njëanshme dhe të paligjshme nga pala e paditur, në kundërshtim, në lajthitje, si dhe në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore të ligjit dhe rregullave të prokurimit publik.”

LSI kërkon marrjen e Masës së Sigurimit të Padisë duke pezulluar zbatimin e vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve të datës 19.04.2021, me objekt: “Vendosjen në karantinë dy javore të shtetasve shqiptarë që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia”, deri në fund të gjykimit dhe derisa vendimi gjyqësor të marrë formë të prerë.

Ku na ndajnë 5 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që për dy javët e ardhshme, personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia duhet të bëjnë karantinë,
Megjithëse Komiteti Teknik thotë se kjo masë sipas tyre është marrë për të kufizuar përhapjen e covid19, konkretisht emigrantët që kthehen në atdhe nga Greqia apo nga Maqedonia, duke nisur nga sot nuk do të mund të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit.

“Duke filluar nga dita e nesërme të vendoset qëndrimi në karantinë dy javore për personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, deri në datën 3 maj. Do ta rivlerësojmë, në varësi të dinamikës së situatës, do ta vlerësojmë përsëri pas dy javës”, tha Rakacolli.