LSDM: Pavarësisht krizave aktuale, ekonomia e Maqedonisë ngelet stabile


Partia në pushtet LSDM përmes një komunikate për media ka deklaruar se ekonomia vendore është stabile dhe shteti po siguron pagat dhe detyrimet ndaj punëtorëve pavarësisht krizës ekonomike dhe energjetike.

“Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja arrin të ruajë stabilitetin dhe likuiditetin e ekonomisë vendase edhe në kohën e krizës ekonomike botërore. Politikat ekonomike në kohë dhe efikase japin rezultate, treguesi i fundit për këtë janë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, të cilat tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit eksportet janë rritur për 20.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Është dëshmi se ekonomia vendore është konkurruese edhe në kohë krize globale energjetike dhe ekonomike. Në të njëjtën kohë, krahas eksporteve, rriten edhe pagat. Paga mesatare për muajin maj është 31.407 denarë, që është 9,4 për qind më e lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2021″, thonë nga LSDM.

Sipas tyre, nga muaji i ardhshëm do të ketë rritje të pagave në arsim, mbrojtje të fëmijëve, polici dhe mbrojtje. Kujdesi për qytetarët dhe përmirësimi i standardit të tyre ekonomik mbetet prioritet kryesor i Qeverisë dhe institucioneve të udhëhequra nga LSDM-ja.