LSDM në negociata me Abdulmenaf Bexhetin për kryetar të Tetovës

Portali në gjuhën maqedonase Plusifno, duke u thirrur në burime të besueshme, shkruan se në zgjedhjet lokale, LSDM-ja dëshiron që në Tetovë, të garojë me kandidat që gëzon respekt te banorët e kësaj komune dhe që mund t’i le nën hije kandidatët e BDI-së, Besës, PDSH-së dhe ASH-AAA-së.

Sipas informacioneve të këtij portali, LSDM-ja po zhvillon negociata me akademikun Abdulmenaf Bexheti dhe biznesmenin Lulzim Destani për t’i kandiduar për kryetar komune në Tetovë. Megjithatë, deri tani nuk ka përgjigje nëse Bexheti dhe Destani do të pranojnë kandidaturën. Këto informacione janë publikuar pas zërave se BDI-ja ka kërcënuar LSDM-në se mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale, nëse Zaev nuk e mbështet kandidatin e “integristëve” në Tetovë që në rrethin e parë. Kryeministri Zoran Zaev, tha se LSDM-ja do ta mbështetë LSDM-në në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, ndërsa bëri të ditur se gjatë kësaj jave do ta takoj kreun e BDI-së Ali Ahmetin.

Kryeministri dje informoi se tashmë ka pasur takime me Menduh Thaçin dhe me Bilall Kasamin lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale. “Me Thaçin u pashë para dy-tre javëve, njejtë edhe me Bilall Kasamin, ndërsa deri në fund të kësaj jave duhet të shihem me Ahmetin. Të gjithë konfirmojmë ndihmë të përbashkët sepse jemi koalicion në nivel qendror, ndërsa do të ishte mirë që kjo të shndërrohet edhe në nivel lokal. Logjikisht, është të paraqitemi si koalicion, pjesa më e madhe do të jenë paraqitje koalicionimi në rrethin e parë, 50 për qind, 25 apo 30 për qind do të ishin në rrethin e dytë dhe diku pas përfundimit të zgjedhjeve do të bëjmë sërish koalicion”, sqaroi Zaevi, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve.