Koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut (LSDM) po kryeson me 36.79 për qind bazuar në 70 për qind të votave të numëruara nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Sipas rezultateve në 2.281 nga gjithsej 3,480 vendvotime VMRO-DPMNE doli në vendin e dytë me 35.77 për qind e ndjekur nga Bashkimi Demokratik për Integrim 10.3 për qind Aleanca për Shqiptarët 8.13 për qind, E Majta 4.16 për qind Integra 1.38 për qind dhe Partia Demokratike Shqiptare 1.33 për qind.
Sipas Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut pjesëmarrja në votime deri në orën 20.30 ëishte 50.86 për qind. Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook se zgjedhjet ishin të qeta.
“Pavarësisht se kush do të fitojë pres që të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor t’i urojnë njëri-tjetrit siç i takon një vendi demokratik” ka shkruar Pendarovski.
Në këto zgjedhje për herë të parë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, u krijua një koalicion parazgjedhor midis një partie maqedonase dhe një partie nga blloku shqiptar. LSDM dhe Lëvizja Besa garojnë së bashku në këto zgjedhje.
Fushata zgjedhore u shënua nga premtimet ekonomike për paga dhe pensione më të larta, projekte të infrastrukturës si dhe mesazhe nacionaliste dhe lëshim pothuajse të përditshëm të regjistrimeve të paligjshme audio dhe video, në të cilat aktorët politikë dyshoheshin se ishin kapur në biseda të dyshimta për krim dhe korrupsion. Akuzat janë zhvilluar kryesisht mes VMRO-së dhe LSDM-së.
Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje doli me idenë e një kryeministri të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut ndërsa opozita shqiptare me moton “Tash është koha për ndryshim”. Procesi zgjedhor u mbikëqyr nga 2,508 vëzhgues vendor dhe 98 të huaj. Për zgjedhjet, përveç gazetarëve të akredituar vendor, po raportojnë edhe 55 media ndërkombëtare. Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut ishin paralajmëruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev, që në dhjetor të vitit 2019 pasi ky vend arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut.