Burime të larta nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë konfirmojnë informacionet se janë në bisedime e sipër me Lëvizjen “Besa” për koalicion të mundshëm parazgjedhor dhe se deri në fund të javës do të merret vesh nëse do të arrihet i njejti.
“Tashmë jemi në bisedime me “Besën”. Mund të pritet që këtë javë të bëhet e ditur nëse ka ose jo koalicion mes LSDM-së dhe “Besës”, thonë për TV21 burime të larta nga LSDM-ja.
Edhe burime nga “Besa” gjatë ditës i thanë TV21 se deri në fund të javës pritet të zyrtarizohet koalicioni parazgjedhor mes tyre dhe LSDM-së dhe se gjatë fundjavës ka pasur takime mes palëve.
“Gjatë vikendit ka pasur takime intensive dhe të gjitha detajet pritet të përmbyllen brenda kësaj jave. Kryetari Bilall Kasami do të jetë bartës liste në njësinë 6, ndërsa në zonat e tjera zgjedhore ku ka shqiptarë Lëvizja “Besa” do të ketë vende të sigurta për deputetë” thanë për TV21 burime nga “Besa”.
Nuk pritet që pjesë e këtij koalicioni të jetë edhe ndonjë parti tjetër shqiptare, thonë burime nga “Besa”. Po të njëjtat pohojnë për se shkuarja e kreut të “Besës” Bilall Kasami në SHBA lidhet me koalicionin që pritet të bëhet, e kjo për shkak se siç thonë burimet, “ky koalicion ka promotor SHBA-të dhe ata janë garant”./TV21