LSDM-ja vendosi që Kovaçevski të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së re

Dimitar Kovaçevski, tashmë kryetari i ri i LSDM-së, do të jetë kandidati i LSDM-së për të formuar shumicën e re qeveritare, transmeton Portalb.mk.

“Për mua është nder dhe përgjegjësi e madhe që sot nga KQ i LSDM-së kam marrë besimin për të qenë mandatar për Qeverinë e ardhshme!”, deklaroi Kovaçevski, duke premtuar që LSDM-ja do të vazhdojë të riorganizohet, për t’u demokratizuar dhe modernizuar.

Ai sqaroi që në KQ po vazhdojnë punimet për përzgjedhjen e kryesisë së re dhe anëtarëve të Këshilli Qendror dhe Ekzekutiv brenda partisë, duke theksuar se partia është e hapur për prurje të reja.

Gjatë javës, gjithashtu, presidenti Stevo Pendarovski duhet t’ia japë Kovaçevskit mandatin për formimin e qeverisë. Në një intervistë ai tha se priste letër nga ndonjë parti që ka shumicë, përmes së cilës do t’i bëhej e ditur edhe zyrtarisht se kush është mandatari i ri. Dorëzimin e mandatit ai e paralajmëroi për nesër ose pasnesër, pas së cilës do të fillojë afati prej 20 ditësh për formimin e qeverisë.

Ndryshe, Zaev dha dorëheqjen pas zgjedhjeve lokale në të cilat partia e tij pësoi humbje të madhe. Sipas tij, dorëheqja është hap logjik që del nga rezultati i zgjedhjeve lokale dhe është shprehje e përgjegjësisë për rezultatet e zgjedhjeve.

Zaev, i cili së fundi u largua edhe nga pozita udhëheqëse në LSDM, të cilën e drejtoi që nga viti 2013. Funksioni e të parit të qeverisë e ka ushtruar nga 31 maji 2017, kurse mandatin e dytë si kryeministër e fitoi në zgjedhjet e 15 korrikut të vitit të kaluar.