LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja me qëndrim të ndryshëm për zgjedhje më 5 korrik, BDI-ja është për datë me konsensus

LSDM-ja në pushtet vlerëson se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare duhet të mbahen më 5 korrik, sepse ajo datë e përmbush edhe afatin ligjor prej 22 ditëve deri në zgjedhje pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Për VMRO-DPMNE-në nuk është serioze që qytetarët të votojnë më 5 korrik, sepse vendi tan po hyn në pikun e dytë të virusit korona, ndërsa BDI-ja është me qëndrim që data e zgjedhjeve të arrihet me konsensus.

“Unë dëshiroj partitë politike të kenë mirëkuptim dhe konsensus, para së gjithash në respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve. Është biseduar, mirë është për kapacitetet demokratike të gjitha partitë politike të marrin pjesë në zgjedhje, në atë moment kur nuk mund të merren vesh liderët politik, përgjegjësinë patjetër ta marrin institucionet e sistemit”, deklaroi kryeministri teknik Oliver Spasovski dje në Kumanovë.

Ai iu bëri thirrje të gjitha partive, veçanërisht VMRO-DPMNE-së që të ndërmarrin hapa të përgjegjshëm dhe të jenë pjesë e zgjidhjes, në vend që të jenë burim i problemeve.

Pohimet se zgjedhjet do të rrezikonin shëndetin e qytetarëve, ose do të duhet të shtyhen për në vjeshtë, janë jo logjike, thekson Spasovski dhe shton se shteti, institucionet mund të sigurojnë ditë të sigurt zgjedhore.

Edhe lideri i partisë në pushtet LSDM, Zoran Zaev vlerëson se zgjedhje duhet të ketë sa më shpejtë, sepse, siç tha, është koha që shteti ynë në tërësi t’i vendosë në funksion institucionet e saja, veçanërisht Kuvendin.

“Përfundimisht, zgjedhjet t’i lëmë prapa nesh dhe të shohim përpara drejt ekonomisë së re të vendit dhe përballjes me KOVID-19”, shkroi në Fejsbuk Zoran Zaevi.

Edhe zëvendëskryetarja e LSDM-së Radmilla Shekerinska nga Manastiri porositi se zgjedhjet duhet të mbahen më 5 korrik.

“Është e nevojshme që sa më shpejt të organizohen zgjedhje të ndershme, të lira dhe demokratike, me të cilat do të kemi institucione të reja, legjitime me kapacitet të plotë, sepse vetëm me kapacitet dhe fuqi të plotë të të gjitha institucioneve demokratike vendi ynë do t’i fitojë sërish sfidat”, tha Shekerinska.

Përkundër tyre, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski vlerëson se “data e fiksuar për zgjedhje më 5 korrik jo vetëm që  nuk është serioze por është edhe morbide, pashpirt dhe johumane.

“Për fat të keq këta numra po rriten në mënyrë morbide dhe nuk është shpirtërore që të flitet për zgjedhje. Për momentin duhet që ta kemi në interes shëndetin e qytetarëve dhe se si ta ulim numrin e vdekshmërisë sepse e shohim së për momentin Republika e Maqedonisë është me shkallën më të lartë të vdekshmërisë në rajon”, tha Arsovski.

Nga BDI-ja thanë se parimisht qëndrojnë në qëndrimin që data e zgjedhjeve të arrihet me konsensus, siç deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në cilësinë e funksionarit të partisë.

“Ne jemi të gatshëm të shkojmë në votime edhe javën e ardhshme, por duhet të marrim parasysh rekomandimet e Komisionit për sëmundje infektive dhe situatën me numrin e të infektuarve”, tha Bekteshi.

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë që u mbajt të shtunën, mes tjerash, kërkoi nga liderët e partive që të merren vesh për datën e zgjedhjeve që të kenë institucione me kapacitet të plotë, sepse “situata është shumë serioze”.

Zgjedhjet parlamentare fillimisht ishin caktuar për më 12 prill, por për shkak të gjendjes me virusin korona ishin shtyrë. Pastaj, presidenti Pendarovski më 18 mars për shkak të gjendjes me virusin korona për herë të parë në shtet shpalli gjendje të jashtëzakonshme. Dy vendimet e para për gjendjen e jashtëzakonshme ishin në kohëzgjatje prej nga 30 ditë, ndërsa e treta dhe e katërta që filloi dje, në kohëzgjatje prej 14 ditëve.