LSDM ia përmend rastin “Pacienti” Bujar Osmanit

Pas sjelljes së Ligjit për Prokurorinë Publike, LSDM-ja ne disa raste lëshoi akuza në adresë të VMRO-DPMNE-së lidhur me kundërshtimin e partisë për miratimin e ligjit në fjalë. Sot, ishte përmendur edhe funksionari i partnerit të koalicionit, BDI, respektivisht dosja “Pacienti” me Bujar Osmanin. Kostadinovi nga LSDM-ja thotë se VMRO-DPMNE ka qenë kundër ligjit për ta mbrojtur Nikolla Gruevskin dhe krimin e tyre, rapoeton TV21.

“Këto janë lëndë në të cilat si persona të dyshuar paraqiten funksionarë të VMRO-DPMNE-së. Dosja “I fuqishmi”, në të cilën i dyshuar është Antonijo Milloshoski, rasti “Aktor” ku për fajtorë konsiderohen Nikolla Gruevski dhe Mile Janakieski. Pastaj, rasti “Perandoria”, në të cilin të dyshuar janë Orce Kamçevi dhe Sashko Mijallkovi, rasti “Drumarina” me Silvana Bonevën, dosja “Pacienti” me Bujar Osmanin, si dhe raste të tjera që mund të përfundojnë me aktakuza dhe aktgjykime”, deklaroi zëdhënësi i LSDM-së Konstandin Konstandinov.

Për këto akuza reagoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Arsovski. Ai thotë se LSDM-ja ka bërë që “bombat” të mos përdoren si dëshmi, me qëllim që ta fshehë krimin e bërë.

“Absolutisht nuk është e vërtetë. I vetmi person i cili donte ta sjellë ligjin për amnisti për krimin e vetë, amnisti kjo e cila do të jetë e katërta apo e pesta për Zaevin… Prandaj kaq kohë zgjatën negociatat, prandaj kishte kaq shantazhe dhe presione nga ana e Zaevit. Nëse donin një Ligj për Prokurori në pajtueshmëri me të drejtën dhe drejtësinë, do të kishin pranuar që ligjin e ri ta përpilojnë dhe votojnë ekspertët. Por, ata vazhduan me këtë dhe “bombat” u anuluan si provë”, deklaroi Dimçe ARsovski nga VMRO.

Bujar Osmani nuk deshi ta komentojë deklaratën e Kostadinovit dhe rastin në të cilin është përfshirë vetë ai. Ndryshe, në tetor të vitit 2018, PPS-ja hapi procedurë nën emrin e koduar “Pacienti”.

Ka dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve nga ana e zyrtarëve në procedura për furnizime publike për kryerjen e punimeve ndërtimore dhe artizanale në disa Institucione Shëndetësore Publike. Nën hetim për rastin në fjalë, ishin 15 persona, mes të cilëve edhe Bujar Osmani.