LSDM dhe BDI dakordohen për shtyllat kruciale për qeverinë e ardhshme!

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim parimet bazë për qeverisjen e ardhshme të mundshme! Këtë pasdite grupet e punës së dy partive dolën me qëndrim të përbashkët ku treguan se kanë pasur diskutim konstruktiv për konfirmim të angazhimeve për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, për paqe, stabilitet, siguri dhe bashkëpunim në vend e rajon, për shkak të marrëdhënieve ndëretnike e fqinjësore, zhvillimin ekonomik, shtetin e së drejtës, mjedis të pastër jetësor dhe mirëqenie sociale.

“Folëm për shumicë parlamentare dhe për koalicion me mandat të plotë e stabil katërvjeçar. Vërtetuam se nuk kemi alternativë tjetër për integrim përveç anëtarësimit në NATO dhe BE. Jemi të përkushtuar për përparim dhe stabilitet afatgjatë në Maqedoninë e Veriut. Pajtohemi plotësisht për respektim të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë dhe Marrëveshjen kornizë të Ohrit” qëndron në kumtesë.
Në shpresën e përbashkët të LSDM-së dhe BDI-së thuhet se janë të përkushtuar për kohezionin social, shoqëri të fortë dhe tolerante, sundim të ligjit dhe se po ashtu janë kundër çdo forme të nacionalizmit dhe urrejtjes.

“Folëm se programi qeveritar eventual patjetër duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe programet zgjedhore të LSDM-së dhe BDI-së. Pajtohemi për staf cilësor, të përgjegjshëm dhe transparent për të gjitha resorët nga të dy palët që të përmbushë plotësisht angazhimet e programit dhe parimet e marrëveshjes përfundimtare të koalicionit” shkruhet në njoftim.
Në fund thuhet se të dy palët pajtohen për pastrim të gjyqësorit dhe kontroll të burimit të parave dhe kapitalit të çdo zyrtari, në rrugë të një sistemi që bashkërisht do të dakordësohet.