Ballina Lajmi i Dites LSDM dëshiron zgjedhje nga mesi i qershor, VMRO-DPMNE në korrik

LSDM dëshiron zgjedhje nga mesi i qershor, VMRO-DPMNE në korrik

Partitë politike të martën do të ulen në tryezë tek presidenti nga ku pritet të dal edhe data apo periudha e mundshme e mbajtjes së zgjedhjeve, përcjell INA.

LSDM-ja e udhëhequr nga Zoran Zaev kërkon që zgjedhjet parlamentare të mbahen në mesin e muajit qershor.

“Të shfrytëzohet momenti i dobësimit të koronavirusit dhe të shkohet në zgjedhje nga mesi i qershorit, më saktë më 14 qershor, është qëndrimi i përbashkët i koalicionit “Mundemi” që u formua në mbledhjen e sotme të kryetarëve të partive nga koalicioni në selinë e LSDM-së, i cili do të prezantohet në takimin e liderëve të martën te presidenti Stevo Pendarovski”, bën të ditur ky koalicion.

Ndërkohë, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski deklaroi dje se partia e tyre është që zgjedhjet të mbahen këtë verë, duke mos përjashtuar korrikun.

“Duam zgjedhje këtë verë. Duam zgjedhje të cilat nuk do ta rrezikojnë jetën e qytetarëve. Duam të jenë zgjedhje të cilat do të sjellin pushtet të ri i cili do të dijë të menaxhojë me pasojat nga koronavirusi. E shihni që VMRO-DPMNE-ja kryeson në anketat, por për mua më me rëndësi është jeta e qytetarëve, e jo që të numërohen viktimat nga virusi korona”, sqaroi Mickovski. Por sipas tij, vendimi final duhet të jetë nga autoritetet shëndetësore që vlerësojnë situatën me koronavirusin.