LS: “Rritja e pagës minimale të votohet deri më 20 janar”

Lidhja e Sindikatave shprehen të zhgënjyer që deputetët nuk iu përgjigjën kërkesës së tyre për rritjen e pagës minimale nga 15 në 18 mijë denarë. Një kërkesë të tillë e kanë dorëzuar në Kuvend në dhjetor, për të reaguar në kohë përpara valës së paralajmëruar të rritjes së çmimeve. Sindikalistët thanë se nëse paga minimale rritet në 300 euro, atëherë ajo do të jetë 60 për qind e pagës mesatare. Këto mjete do t’i ndihmojnë ata të kapërcejnë problemet financiare, të shkaktuara nga çmimi i ri i energjisë elektrike, dhe produkteve të tjera bazë.

“Më duhet të them se Kryetari i Kuvendit në kohën më të shkurtër, në vetëm tre deri katër ditë nga dorëzimi i iniciativës së LSM-së, ua dorëzoi deputetëve, por ata nuk e përdorën rregulloren e tyre për të propozuar një propozim ligj, për ndryshime dhe plotësime në ligjin për pagën minimale. Ndoshta do të kishin reaguar më shpejt, nëse do t’u sugjeronim që ti rrisnin mëditjet për udhëtime zyrtare apo transport”, Slobodan Trendafilov – LSM.

Kryeministri në largim Zoran Zaev, më 28 tetor kishte paralajmëruar se paga minimale nga 15 do të rritet në 18 mijë denarë, dhe me këtë do të hapet spirale për rritje të pagave tjera. Sindikatat u kanë dhënë afat deputetëve deri më 20 janar, që të ulen në kolltuqet e Kuvendit dhe ta miratojnë ligjin e nevojshëm për punëtorët.

Nga LSM-ja thonë se në fund të janarit skadon masa për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, dhe barrë shtesë do të jenë faturat e energjisë elektrike dhe ngrohjes. Para më pak se një muaj, sindikatat protestuan dhe thanë se përveç të dielës ditë jopune dhe rritjes së pagës minimale, duhet të miratohen edhe disa ligje dhe masa të tjera, që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e të drejtave të punëtorëve. Ndaj kërkesave të punëtorëve doli kundër Organizata e Punëdhënësve.