Këngëtarja Loredana Zefi dhuron 100 mijë euro për fëmijët në nevojë

Reperja e njohur ndërkombëtarisht me origjinë nga Kosova, Loredana Zefi, ka hapur zemrën e saj për fëmijët në nevojë.
Të shtunën në Gjermani është mbajtur një mbrëmje humanitare, e cila është quajtur “Ein Herz für Kinder” (Një zemër për fëmijët). Pjesë e së cilës ka qenë edhe reperja me prejardhje nga Ferizaj.

Në të njëjtën mbrëmje, ajo ka marrë vendimin të dhurojë plot 100 mijë euro për fëmijët në nevojë.
Në fjalimin e saj, reperja Zefi u shpreh se është vet nënë e një vajze dhe se do të dëshironte që të gjitha nënat të përjetonin momente të mira me fëmijët e tyre, ashtu sikurse ajo.

“Unë kam një vajzë që së shpejti do të bëhet 2 vjeçe. Unë kam parë se si ajo ecën, si flet. Për mua si nënë është shumë e rëndësishme që edhe nënat e tjera të provojnë këtë lumturi. Të dhurojë 2 mijë euro nuk është e mjaftueshme për mua, unë fitoj pak më shumë. Do të dhurojë 100 mijë euro”, ka thënë Loredana.
Loredana Zefi është ndër reperet më të njohura në Gjermani e Zvicër.