Vendi Morton, Ministrja për Evropën për vizitë në Shkup
Zbatimi i Marrëveshjes për partenritet, tregti dhe bashkëpunim, e nënshkruar me Britaninë e Madhe në prag të Bregzit, do të jetë tema e takimit të nesërm ne Ministrinë e Punëve të Jashtme, në të cilin do të marrë pjesë edhe Ministrja britanike për Evropën dhe Amerikën, Vendi Morton. Kjo marrëveshje mundësoi tranzicion të qetë në bashkëpunimin tregtar në mes dy vendeve pas përjashtimit të Britanisë nga marrëveshjet e përbashkëta me Bashkimin Evropian.
Shkëmbimi tregtar në mes Britanisë së Madhe dhe Maqedonisë së Veriut në vitin 2020 ka arritur pothuajse dy miliardë paund (1.8), që u mundësua me tranzicionin e shpejtë nga legjislacioni evropian në atë bilateral, përkatësisht me marrëveshjen për partneritet, tregti dhe bashkëpunim, e nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar, pak para Bregzit. Maqedonia e Veriut, si partneri më i madh tregtar i Britanisë së Madhe në rajon, është vendi i dytë, pas Kosovës, me të cilën u nënshkrua kjo marrëveshje dypalëshe.
Vendi Morton, Ministre për Evropën dhe Amerikën, Britani e Madhe
“Kjo marrëveshje paraqet kornizë për dialog politik dhe partneritet të përforcuar tregtar, por edhe mbështetje për përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e ambientit jetësor, arsimit, të drejtave të njeriut dhe është mundesi për përforcimin e lidhjeve tona të sigurisë dhe atyre kulturore.”
Morton, e cila në Shkup vjen nga Tirana, do të pritet nga shefi i diplomacisë Bujar Osmani, nga Zv/Kryeministri Nikola Dimitrov, por do të takohet edhe me Ministrin e Ambientit Jetësor, Naser Nuredini në lidhje me samitin botëror për klimën, Kop-26, në Skoci, gjatë muajit të ardhshëm. Ndërkohë, Britania e Madhe i ka lehtësuar kushtet për hyrje në vend për qytetarët e 50 vendeve, në mesin e të cilave edhe Maqedonia e Veriut , për të cilët nuk ka karantinë të detyrueshme, por vetëm dëshmi për dy doza të vaksinës nga lista që pranohet në Londër. Kjo është vizita e parë e një përfaqëuese të Zyrës Britanike për Punë të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, pas anëtarësimit të vendit në NATO.