Zjarri që prej para dy ditëve shpërtheu në malet e fshatrave të Berovës, Budinarcë dhe Mitrashincë është lokalizuar dje në orën 17. Siç informon Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), ekipet dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në shuarjen e zjarrit janë kthyer në baza, ndërsa ekipet kujdestare nga Ndërmarrja Pyjore “Maleshevë” – Berovë qëndrojnë në detyrë në terren.
Në një shkrim në profilin në Fejsbuk, DMSH thekson se gjatë ditës së sotme do të bëhet kontroll i terrenit. Në shuarjen e zjarrit kanë marrë pjesë ekipe zjarrfikëse të Berovës, Vallandovës dhe Kumanovës. Ekipi nga Sveti Nikolla me pompa u angazhua për të mbushur pishinën me ujë për helikopterin e policisë. Er Traktori ka vepruar në disa raste derisa zjarri është fikur plotësisht, bënë të ditur nga DMSH.
Komandanti i Njësisë Territoriale Zjarrfikëse të Berovës, Sashko Rumenovski informoi se për shuarjen e zjarrit që nga orët e mëngjesit kishin ndihmë me helikopterë me mbi 27 fluturime të bëra. “Është shfrytëzuar ujë për shuarjen e zjarrit nga pishina e improvizuar në fshatin fqinj Budinarc”, tha Rumenovski.
Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njoftoi se në shuarjen e zjarrit përveç një helikopteri policor janë përfshirë edhe 20 persona nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), 35 punonjës në ndërmarrjet pyjore, si dhe disa banorë të zonës.
Sipas QMK-së, pranë zjarrit është bërë një pellg me ujë nga forcat zjarrfikëse nga i cili helikopteri e ka mbushur kovën me ujë dhe koha e veprimit është shkurtuar për tre herë, pasi nuk ka nevojë të mbushet nga Liqeni i Berovës. Dje në orët e pasdites është riaktivizuar zjarri në deponinë e mbeturinave ndërtimore në afërsi të Rallova Çukës në fshatin Oçipalë të Dellçevës, i cili është fikur mbrëmjen e së premtes.
Gjatë pasdites së djeshme për shkak të temperaturave të larta ka shpërthyer zjarr në deponinë “Vardarishte” përballë Ndërmarrjes Publike “Lajka” në Shkup, i cili është shuar me dy mjete zjarrfikëse, ndërsa u dogj vetvetiu edhe deponia “Treshtena Skala” në Shtip, ku kanë ndërhyrë zjarrfikësit me dy cisterna me ujë dhe ekskavator.
Në lidhje me zjarret e tjera në vend që janë regjistruar zyrtarisht në 24 orët e kaluara, Brigada Zjarrfikëse ka pasur pesë intervenime, dy prej të cilave për shkak të djegies së kashtës dhe vegjetacionit të ulët të djegur. Nga dy zjarret janë shkatërruar gjithsej rreth 6000 metra katrorë.
Njësitet Territoriale Zjarrfikëse (NJTZ) nga Manastiri dhe Prilepi kanë pasur nga një intervenim, ndërsa zjarrfikësit në Vallandovë kanë pasur tri intervenime – dy për shkak të djegies së vegjetacionit të ulët dhe kufijve në fshatin Brajkovc dhe një për shuarjen e pyllit të djegur në sipërfaqe prej dy hektarë afër fshatit Dedeli.
Njësiti i zjarrfikësve të Kërçovës me pesë zjarrfikës dhe një veturë ka shuar kashtën e djegur në afërsi të fshatit Cërvicë, ndërsa NJTZ nga Ohri ka bërë një ndërhyrje të vogël. Njësiti Territorial Zjarrfikës Veles me pesë zjarrfikës dhe një veturë ka intervenuar për shuarjen e vegjetacionit të ulët të djegur në afërsi të deponisë së qytetit, ndërsa NJTZ Kavadar me dy zjarrfikës dhe një veturë ka shuar vegjetacionin e ulët të djegur në afërsi të fshatit Farish në rrugën për në Pletvar.