Dy djem janë përjashtuar nga kafiteria “Traffic Gallery Prishtina”, pasi që njëri prej kamerierëve në këtë lokal ka dyshuar se ata i përkasin komunitetit LGBTI+.
Këtë e ka bërë të ditur, “Dylberizm”, faqe në rrjetin social Instagram që promovon të drejtat e komunitetit në Kosovë. Ata kanë shkruar se janë njoftuar se para disa ditëve, dy djem nuk janë lejuar të ulen në lokalin “Traffic”, pasi që kamerieri ka dyshuar se ata mund t’i përkasin komunitetit LGBTI+, shkruan Insajderi.
“Dylberizm është njoftuar se para disa ditëve, dy djem nuk janë lejuar të ulen në lokalin e Traffic Gallery Prishtina pasi që kamarieri ka dyshuar se ata mund të jenë LGBTI+ dhe se ata persona nuk lejohen të ulen në këtë lokal. Pas publikimit të kësaj ngjarje, shumë persona tjerë janë lajmëruar se e njëjta gjë ju ka ndodhur edhe atyre, pra në bazë të gjykimit të kamarierëve se nëse dikush iu është “dukur gej”, janë larguar nga lokali”, ka shkruar kjo faqe në llogarinë e tyre në Instagram.
Sipas Dylberizm, kamerieri është arsyetuar se është urdhëruar nga shefi i tij që komunitetin LGBTI+ mos ta lejoj të ulet në lokalin e tyre.
Pas kësaj ata kanë filluar një aksion kundër këtij lokali duke i shkruar komente “Marre” dhe “Homofoba”, ku pas këtij aksioni kafiteria në fjalë ka fshirë postimet dhe komentet e lexuesve.
“Me këtë rast, Dylberizm mbrëmë i ka ftuar të gjithë përcjellësit e faqes të i komentojnë, shkruajnë, postojnë në faqen e Traffic Gallery Prishtina. Faqja e tyre për shumë pak minuta është mbushur me komente: “MARRE”, “HOMOFOBA” dhe shumë mesazhe tjera, ku postimi i tyre i fundit ka kaluar 500 komente për shumë pak kohë. Pas këtij aksioni, faqja e Traffic Gallery Prishtina e fshin postimin, dhe bllokon komentet në cdo postim të tyre në Instagram. Për momentin aksioni vazhdon në faqen e tyre në Facebook, ku jemi duke i shkruar bad revieës për ti njoftuar konsumatorët se ai vend është homofobik”, ka shkruar Dylberizm.