Lokalet edhe nëse hapen, s’mund të mbijetojnë, qytetarët: Hapja e lokaleve do të ketë ndikim pozitiv


Restorantet, kafenetë, fast-foodet dhe ëmbëltoret do të duhet të hapen por me masa lehtësuese për ta, vlerësojnë pronarët e këtyre bizneseve. Nëse pas 15 majit të njëjtat hapen me masa rigoroze këto biznese nuk do të mund të mbijetojnë pasi që masat të cilat edhe paralajmërohen kërkojnë investime shtesë si dhe zvogëlojnë numrin e tavolinave, ndërsa të njëjtat dy muaj pa asnjë të hyrë janë në prag të falimentimit. Qeveria deri më tani nuk ka liruar nga qiraja as ato lokale që janë në pronë të shtetit, ndërsa në anën tjetër akoma nuk ka lëshuar asnjë përkrahje financiare për këto biznese, si marrjen e kredive dhe pagesën e rrogave.

“Që të zvogëlohet numri i tavolinave nuk është mirë se nuk e dimë se sa mund të ia dalim, por për një kohë të shkurtër le ta provojmë, por në një kohë më të gjatë nuk do të mund të ia dalim ashtu. Deri më tani na është premtuar por konkretisht nuk ka asgjë dhe nuk më pelqen ajo që thanë se duhet të rrimë të izoluar dhe në anën tjetër nuk ka asnjë ndihmë, deri sa e detyron të rrijë në shtëpi do të duhet që edhe ndihmë t’i jepet”, tha Selim Saiti, “Amfora”.

“Edhe për masat që përmenden se do të merren hapësirat dy metra apo vendosja e paravaneve me xham apo diçka e tillë , ata janë plus investime për ne që ne nuk kemi për t’i realizuar rrogat e lëre të bëjmë investime të këtilla pasi që bizneset tona janë që punojmë çdo ditë , nuk mund që edhe të punojmë një ditë dhe të mbulojmë të gjitha harxhimet , dhe unë mendoj se duhet të merren masa të menjëhershme dhe të jenë të realizueshme menjëherë pasi që edhe punëtoret do të duhet të marrin pagat dhe në duhet të mbijetojmë”, tha Mentor Asani, “Peperoni”.

Ndërsa qytetarët e anketuar thonë se lokalet patjetër do të duhet që të hapen, pasi që këto biznese nuk mund të mbijetojnë ndryshe dhe se hapja e lokaleve do të ndikonte që edhe qytetarët që kanë qenë në izolim të relaksohen në aspektin psiqik.

Qytetar: “Qeveria duhet ta shikojë këtë punë në një orar më të gjatë pak se njerëzit janë demoralizuar.”

Qytetar: “Duhet të hapen se me mal nuk jetohet, duhet të hapen se aq më nuk shkon më shumë.”

Qytetar: “Duhet të hapen se kaloi më kjo epidemia, pasi që të sëmurë nuk shihet më se ka, duhet të hapen të vazhdojnë punën se kanë ngelur njerëzit shumë keq në shtëpi.”

Nga qeveria thonë se kanë ndërmarrë masa ekonomike për bizneset që janë goditur nga Covid 19 por deri më tani asnjëra nga masat nuk është implementuar dhe bizneset akoma nuk kanë ndjerë asnjë efekt nga masat e marra. Ndryshe, nga 14 marsi të gjitha lokalet janë të mbyllura.