Lokacioni tek “Treska” përgatitet për ndërtesa, betonizimi i ri i Shkupit

Makineritë e ndërtimit tash e disa javë po rrënojnë objektet rreth ish-kombinatit të Shkupit “Treska”. Keshtu duke pastruar hapësirën për ndërtimin e objekteve dhe betonimin e ri të qendrës së Shkupit.

Përkundër kërkesave të opinionit profesional për krijimin e një plani të ri për hapësirën, Komuna Qender nuk ndaloi dhe ka vazhduar punimet ku parashihet të dalin 30 objekte të reja.

Ish-kryetari i Komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq, tha se hapësira ishte e paplanifikuar dhe ndërtesat i quajti “vaferë” sepse e betonojnë plotësisht hapësirën pa hapësira adekuate publike dhe gjelbërim, e as nuk planifikohet çerdhe. E gjithë zona është planifikuar vetëm për ndërtesa.

Nga Komuna Qendër thonë se për zonën e “Treskës” ende nuk është lëshuar leje ndërtimi, ndërsa është miratuar një kërkesë për rindërtim të parcelave.

“Deri më tani janë pranuar 4 kërkesa për leje ndërtimi gjatë viteve 2021 dhe 2022. Për rindërtimin e parcelave në ‘Treskë’ janë paraqitur gjithsej 17 kërkesa, prej të cilave vetëm një kërkesë është miratuar”, thonë nga Komuna.

Iniciativa qytetare “Shans për Qendrën” para tri ditësh përsëri kërkoi nga kryetari Gerasimovski që të mbajë konkursin për “Treskën”.