Lojërat e fatit, përplasje për propozimin e ri

BDI-ja vlerëson se nuk është i nevojshëm një propozim-ligj i ri për lojërat e fatit në Kuvend nga Aleanca për Shqiptarët meqë një nismë e tillë është në procedurë. Deputeti i BDI-së Arbër Ademi thotë se nëse do të kishte guxim të kërkojë zhbllokimin e procedurës për këtë ligj, partia opozitare shqiptare do të mund t’i parashtronte kërkesat e saj me amendamente.

“Asnjë shkronjë, asnjë fjalë e vetme nuk është thënë nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët. A e dini pse? Sepse këtë komision e drejton kuadër i VMRO-DPMNE-së dhe kuptohet ata qëndrojnë katitu përpara VMRO-së dhe përpara “Levicës” dhe sigurisht se nuk kërkojnë llogari që ky ligj të vihet në diskutim. Kur diskutohet për këtë ligj ne mund të diskutojmë edhe për modalitete sepse ata mund të parashtrojnë edhe amendamente dhe mund ta diskutojmë”, tha Arbër Ademi, BDI.

Ligji për lojërat e fatit që është në procedurë parlamentare është dorëzuar në Kuvend shumë muaj më herët por procedura ka ngecur. Ai parashikon distancimin e lojërave të fatit 500 metra larg institucioneve arsimore. Ndërkohë propozimi i ri i Aleancës për Shqiptarët parashikon funksionimin e lojërave të fatit vetëm në hotele me pesë yje dhe askund tjetër. Deputetja Ilire Dauti tha se nisma do të lëshohet në procedurë parlamentare brenda pak ditësh.

“Shpresojmë për një qasje jo të këtillë siç bën partia shqiptare në pushtet e cila po përgatit paraprakisht terren për ta arsyetuar mosbashkangjitjen e tyre në propozim-ligjin tonë. Unë mendoj se është koha të gjithë të mendojmë dhe të veprojmë në shërbim të së mirës tonë të përbashkët”, tha Ilire Dauti, Aleanca për Shqiptarët
Deri tani, asnjëra nga partitë e tjera nuk e ka komentuar nismën e re të Aleancës për Shqiptarët.