Lojërat e fatit, kërkohet miratimi i ligjit

Për muaj të tërë Ligji për Lojërat e Fatit ka mbetur nëpër sirtarë. Nga lëvizja “Anti Bixhoz” thonë se edhe pse kanë marrë premtime nga të gjithë liderët politik se ligji së shpejti do të votohet, i njëjti sipas tyre tashmë 7 muaj mbahet në Ministrinë e Financave, shkruan Alsat.
Sipas kësaj Lëvizje autoritetet për vonesat arsyetohen me krizën politike.

“Që 6-7 muaj Fatmir Besimi, ministri i Financave e mban ligjin peng, duke premtuar në çdo seancë parlamentare se do ta vendos për votim. Deri tani, për shkak të situatës me Qeverinë jemi në këtë gjendje që jemi tani. Kemi premtime të kamotshme të të gjithë liderëve politik, se gjendja kaotike në Maqedoninë e Veriut do të tejkalohet me mbylljen dhe dislokimin e lojërave të fatit nga vendet e urbanizuara”, tha Sinkron: Jushi Emrullai nga Lëvizja antibixhoz.

Për akuzat e Lëvizjes Anti bixhoz u drejtuam në Ministrinë e Financave, por përgjigje nuk morëm. Ndërkohë sipas Emrullait, vitet e fundit lojërat e fatit në të gjithë vendin janë shtuar si kërpudhat pas shiut.
“Veçanërisht Tetova, Gostivari, Kërçova janë bastionet e kumarit në Maqedoninë e Veriut”, tha Emrullai.

Nga Lëvizja Anitbixhoz kërkojnë nga kryetarët e komunave që deri sa të miratohet ligji i ri, të respektohet ai aktual, ku thuhet se lojërat e fatit duhet të jenë 200 metra larg objekteve me interes publik. Madje për këtë kërkesë të tyre paralajmërojnë edhe takime me kryetarët e komunave. Beteja për këto ndryshime ligjore po bëhet tashmë disa vite.

Sociologët vazhdimisht kanë alarmuar se lojërat e fatit janë bërë tundim për pothuajse të gjitha grup moshat dhe të gjitha kategoritë sociale, duke bërë që një pjesë e rinisë ta quajë “ të dalë jashtë mode” fitimin e parave përmes punës. Sipas disa analizave rezulton se nga viti 2015 bixhozi në vendin tonë ka sjellë të ardhura prej rreth 300 milion eurosh, apo thënë ndryshe rreth 10% e buxhetit të shtetit.