Llogaritë e WhatsApp do të fshihen pas 15 majit? Lajmëron vetë kompania

WhatsApp ka hequr afatin për përdoruesit që të pranojnë azhurnimin e politikës së saj të privatësisë dhe tha se mos pranimi i kushteve nuk do të çojë në fshirjen e llogarive. Afati i fundit për pranimin e azhurnimit ishte 15 maj.
Aplikacioni i mesazheve në pronësi të Facebook ishte përballur me reagime të ashpra për azhurnimin e diskutueshëm të privatësisë.

Në janar të këtij viti, WhatsApp kishte informuar përdoruesit për ndryshimet në kushtet e tij të shërbimit dhe politikën publike përmes një njoftimi brenda aplikacionit. Përdoruesve fillimisht iu dha kohë deri më 8 shkurt për të rënë dakord për kushtet e reja në mënyrë që të vazhdonin përdorimin e platformës.

Një zëdhënës i WhatsApp i tha një agjencie kryesore të lajmeve se asnjë llogari nuk do të fshihet më 15 maj për mos pranimin e azhurnimit të politikës së Whatsapp.
“Asnjë llogari nuk do të fshihet më 15 maj për shkak të këtij azhurnimi dhe askush nuk do të humbasë funksionalitetin e WhatsApp. Ne do të lansojmë notifikime për njerëzit gjatë disa javëve të ardhshme”, tha zëdhënësi në një përgjigje me email për një pyetje te premten.