Lloga-Zadiq nënshkruan deklaratë për reformat në drejtësi

Ministrat e drejtësisë të Austrisë- Alma Zadiq dhe Maqedonisë së Veriut- Krenar Lloga sot pas takimit të punës nënshkruan deklaratë të përbashkët për bashkëpunim të të dy ministrive në fushën e mbrojtjes së zbatimit dhe të parimeve të sundimit të ligjit, reformave në fushën e ligjit civil dhe penal, luftën kundër korrupsionit dhe digjitalizimin e gjyqësorit, transmeton Portalb.mk.

Ministrja e Austrisë theksoi se duhet të ndihmojnë Maqedoninë e Veriut, sepse Republika e Maqedonisë së Veriut meriton që të merr vendin e saj në familjen e shteteve të BE.

“Dua të shpreh respektin time për kompromiset e dhimbshme, dhe besoj se kjo duhet të vlerësohet në të ardhmen. Tani topi është tek ne si Union Evropian dhe për ne si Austri që të ndihmojmë Maqedoninë e Veriut që të bëhet pjesë e BE-së. Dhe për ne është e rëndësisë së madhe që rajoni i Ballkanit Perëndimorë e posaçërisht RMV-ja të bëhet pjesë e BE-së. Reformat në drejtësi, sundimi i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë të domosdoshme dhe vendi juaj besoj se do ta bëj këtë”, deklaroi Zadiç.

Ministri i drejtësisë i vendit theksoi se me këtë u konkretizuan disa çështje.

“Austria është një nga vendet që na mbështet më së shumti. Nënshkruam një marrëveshje të përbashkët për të konkretizuar bashkëpunimin tonë në më shumë fusha. E informova se po ballafaqohemi me shumë sfida dhe se jemi në rrugë të vërtet që të bëhemi anëtarë të BE-së”, tha Lloga.

Ministria e Drejtësisë njoftoi Austria mbështet Republikën e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se dy homologët u pajtuan që Austria nëpërmjet të ekspertëve të saj të bart diturinë dhe përvojën, duke përfshirë dhe trajnime profesionale të gjykatësve dhe prokurorëve.