Qeveria nesër do të diskutojë për vendosjen e një mase shtesë shtrënguese në pika kufitare, për parandalimin e përhapjes së Covid-19, informoi Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Të gjithë që do të hynë ose do të dalin nga pikat kufitare, do t’u kërkohet certifikatë vaksinimi, test negativ jo më i vjetër se 72 orë ose dëshmi se e kanë kaluar virusin korona. “Në Shtab është biseduar edhe për një masë shtesë e cila nesër do të diskutohet në seancë qeveritare.
Ajo është që për hyrje dhe dalje nga shteti ynë, për të gjithë qytetarët pa dallim se a janë shtetas tanë ose jo. Edhe për hyrje edhe për dalje të kërkohet ose vërtetim për vaksinë të pranuar, ose test negativ ose dëshmi se e kanë kaluar sëmundjen. Nesër do të diskutohet edhe për masën dhe kohën kur do të fillojë të zbatohet”, deklaroi Filipçe. Vendosjen e masës së tillë, mjeku Nenad Llazarov e sheh si të vonuar, për shkak se siç thotë, varianti Delta tashmë është përhapur shumë në vendin tonë.
Ndërsa në përgjithësi masat i vlerëson si të pakuptimta për arsye se janë sjell shumë vonë.
“Tani më është vonë, kemi përhapje të gjerë të virusit. Masa restriktive për kontroll në kufi duhej shumë më herët të kishim, por për fat të keq lejuam që ta importojmë llojin Delta të virusit. Absolutisht masa restriktive janë të nevojshme, i shihni numrat në bazë ditore të të infektuarve dhe tanimë më intesivisht po mbushen edhe kapacitetet spitalore”, tha Llazarov.
Ministri Filipce vlerëson se për momentin nuk ka nevojë për orë policore ose masa më rigoroze.
“Për momentin nuk ka nevojë për orë policore. Do të shkojmë me këto masa dhe e ndjekim gjendjen në vendet ku ma më shumë të infektuar edhe atë në Tetovë dhe Gostivar”, shtoi Filipçe.
Ndërsa mjeku Llazarov vlerëson se është e nevojshme masa më rigoroze për shkak se gjendja është serioze.
“Mendoj se duhet të ndalohet puna e lokaleve. Të njëjtat të jenë në “stand-by” sepse e shohim se kemi përhapje të gjerë të virusit. 03.50 Absolutisht mendoj se objektet hotelierike , sidomos dasmat dhe ahengjet tjera, mbledhjet nëpër shtëpi duhet në çdo mënyrë të kontrollohen dhe të mos lejohen, sepse pacientët tanë nuk janë mjaftueshëm të vetëdijshëm se sa infektuese është kjo sëmundje”, shton Llazarov.
Llazarov thekson se është e domosdoshme vaksinimi dhe respektimi i masave për mbrojtje nga Covid-19, siç janë mbajtja e distancës, mbajtja e maskës mbrojtëse dhe higjena e duarve. Ministri Filipçe pohoi se në qytetet ku ka më shumë të vaksinuar, ka më pak raste të reja dhe anasjelltas. Ndërkohë sot nga Institucionet shëndetësore në SHBA ka ardhur rekomandimin edhe për dozën e tretë të vaksinës anti-covid për pacientët që janë me imunitet të dobët, pacientë që kanë kryer ndonjë transplantim dhe janë me sëmundje kronike.