Mungesa e ekspertëve po bëhet shkak që tash e disa vite rasti i aksidentit në Llaskarcë ku humbën jetë 16 persona të ngelet pa epilog gjyqësor. Për këtë çështje, kreu i Gjykatës Penale në Shkup Ivan Xholev, u përgjigj me shaka.
“Informacionet e mia thonë që ndërprerja është për shkak se mungojnë ekspertë të asaj fushe, për fat të keq në Maqedoni shumë gjëra mungojnë, do të bëj shaka, me siguri mungojnë avionë, tanke, mungojnë edhe ekspertë”, deklaroi Ivan Xholev, kryetar i Gjykatës Themelore Penale në Shkup.
Kërkesa për super ekspertizë deri te Byroja për Ekspertiza Gjyqësore është dërguar në nëntor të vitit 2021. E për atë se deri ku ka ngelë përgatitja e super ekspertizës, kur mund të presim që ky dokument të jetë gati dhe a do të përshpejtojë ligji i ri për ekspertizë, përgatitjen e këtij dokumenti, nga ky institucion nuk gjetën kohë të përgjigjen në pyetjet tona.
Përgatitjen e super ekspertizës paraprakisht e kishin refuzuar të gjitha fakultetet kompetente në vend. Ministri i Drejtësisë refuzoi të komentojë për rastin konkret, por potencoi që shumë prej defekteve në fushën e ekspertizave gjyqësore do të zgjidhen përmes ligjit të ri për ekspertizë, që do të futet në procedurë qeveritare brenda javës së ardhshme.
“Javën e ardhshme në qeveri, pra për 10 ditë do të jetë në procedurë qeveritare ligji i ri për ekspertizë, ky ligj i cili për një kohë të gjatë po përgatitet do jetë zgjidhje e të gjitha këtyre defekteve dhe mungesave të cilat momentalisht ndodhin dhe janë të lidhura me atë sferë. Janë konstatuar të gjitha defektet dhe mendoj që kjo zgjidhje ligjore do të paraqesë zgjidhje për të gjitha këto probleme të akumuluara deri tani”, tha Nikola Tupancevski, ministër i Drejtësisë.
Rikujtojmë që më 13 shkurt të vitit 2019, në aksident të autobusit në Llaskarcë, humbën jetën 16 pasagjerë dhe 38 të tjerë u lënduan. Procesi gjyqësor ka filluar më 5 shtator të vitit 2021 por fundi i këtij procesi duket akoma larg. Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë gjashtë persona, edhe atë pronari i Durmo Turs, Durmish Beluli, përgjegjësi për transport në firmën, Remzi Miftari, shoferi i autobusit Manoil Trifunovski si dhe tre të punësuar në stacionin për kontroll teknik. /Alsat.mk