Llalla: Të bëhemi bashkë dhe ta bëjmë kryeministrin shqiptar

Ideja e Ali Ahmetit se ka ardhur koha që kryeministri i Maqedonisë së Veriut të jetë shqiptar, ka ngritur në këmbë gjithë partitë politike maqedonase por edhe ata shqiptare. Për analistin-historianin Arben Lalla, kjo ide është briliante dhe nuk ka asgjë të keqe pasi është koha dhe duhet bashkuar të gjithë që në Maqedoni të Veriut të ulet një shqiptarë në krye të ekzekutivit.

Mendoj që deklarata e kryetarit të BDI Ali Ahmetit është korrekte, një ide e mirë dhe s’ka asgjë të keqe. Me sa lexojmë opozita shqiptare dhe partitë maqedonase nuk po japin ide të reja sepse nuk kanë dhe kështu bëjnë kritika për çdo mendim të lirë e demokratik. Në këtë rast për idenë për Kryeministrin shqiptar që mund të drejtojë qeverinë e Maqedonisë së Veriut një ditë” thotë për TetovaSot, analisti Arben Lalla

Sipas tij përderisa shqiptarët janë shtetformues, kanë patur kryetarin e Kuvendit, Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Mbrojtjes, e përse kaq panik nëse e marrin një ditë kolltukun Kryeministrit? Frika ime është që të kemi një kryeministër shqiptar jo vetëm me ADN por edhe me ndërgjegje shqiptare.

Lalla shton se tani është koha që partitë politike shqiptare ti lënë grindjet dhe mos të bëhen vasal dhe masha të tjerëve por ti shërbejnë kombit.

Ka ardhur koha që partitë shqiptare ti lenë grindjet, mos të bëhen vasal e masha të të tjerëve, por ti shërbejnë votuesve të tyre, kombit që i përkasin. Vota përçarëse, kritikat dashakeqëse na çojnë në uljen e krenarisë dhe pazarit e ulët politikë përballë partive maqedonase” shprehet më tej analisti Llalla.

Sipas Llallës, Ali Ahmeti nuk ka thënë se kryeministri duhet të jetë nga BDI, por të jetë shqiptar dhe shqiptarët duhet të pretendojnë për kryeministër, sepse nëse nuk pretendojnë atëherë pse bëjnë koalicion parazgjedhor me partitë maqedonase.

Tek e fundit Ali Ahmeti s’ka thënë që të kemi një kryeministër shqiptar nga BDI, por një kryeministër shqiptar. E ky kryeministër mund të jetë edhe nga çdo parti shqiptare, qoftë edhe nga partia shqiptare në koalicion me partitë maqedonase. Nëse nuk pretendojmë që një ditë ta kemi kryeministrin shqiptar atëherë përse bëjmë koalicion parazgjedhor me partitë maqedonase?” thotë në fund Arben Lalla.

Ndryshe idenë e Ali Ahmetit se ka ardhur koha për kryeministrin shqiptarë deri tani e kanë mbështetur shumica e opinionistëve dhe gazetarëve në Maqedoninë e Veriut.