Lladrovci me fjalë emocionuese për Veselin: Vdekjen e kam prit, por jo këtë ditë

Kryetari i Komunës së Dreasnit Ramiz Lladrovci ka reaguar pas paraqitjes së parë të ish-kryetarit të PDK’së Kadri Veselit të cilit iu konfrimua aktakuza në Gjykatën Speciale në Hagë. Ladrovci ka thënë se nuk e ka pritur këtë ditë për t’u turpëruar lufta e drejtë e UÇK’së, duke theksuar se më parë do ta mirëpriste vdekjen.

“Vdekjen e kam prit, por jo këtë ditë. Vdekjen po, e kemi pritur shumë herë, por kurrë turpërimin, vdekjen po, kurrë tërheqjen nga rruga e drejtë, vdekjen po, kurrë heqje dorë nga çlirimi prej okupatorit shekullor”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.
Ky është shkrimi i plotë:

Miku im Kadri,
Vdekjen e kam prit, por jo këtë ditë. Vdekjen po, e kemi pritur shumë herë, por kurrë turpërimin, vdekjen po, kurrë tërheqjen nga rruga e drejtë, vdekjen po, kurrë heqje dorë nga çlirimi prej okupatorit shekullor. Sot, ashtu si dje, ishte trishtim të dëgjoheshin të vërtetat e rrotulluara për ndërmarrjen më krenare, më të ndritur e më të suksesshme që nga Skënderbeu e këndej. Kjo ndërmarrje e ndritur, ka tri shkronja, UÇK.

Ushtria më e suksesshme e shekullit të 20-të, e tillë do të mbetet përgjithmonë. Sepse, në themel të kësaj ushtrie ishte përkushtimi shekullor atdhetar, gjaku i bijve e bijave më të shquara të kombit. Andaj, gënjeshtrat e gjithë botës, kurrë nuk mund ta shuajnë të vërtetën, të drejtën tonë për liri dhe çlirim.
Shoku im Kadri,

Ti je personalitet i fitoreve, këtë e dinë të gjithë ata që të njohin. Sepse vetëm fitorja për ty është opsion. Prandaj, edhe nga kjo sfidë, bashkë me të tjerët, do të jesh fitimtar e faqebardhë. Të mirëpresim sa më parë, si çdo herë, faqebardhë!