Llabunishti: Problematike dhe të pabesueshme numrat e publikuara mbrëmë

Arben Llabunishti nga koalicioni “Tash është koha” në pres konferencë një ditë pas zgjedhjeve tha se rezultati i publikuar mbrëmë është problematik dhe i pabesueshëm. Ai shtoi se ka pasur mbushje të kutive nëpër disa vendvotime duke përmendur edhe “trenin bullgar”.

“Është për të ardhur keq që edhe pas 24 orësh pasi që ka përfunduar procesi zgjedhor mungojnë rezultatet preliminare të KSHZ-së. Mungesa e informacioneve zyrtare spekulimet e ndryshme bllokimi që u bë faqes së KSHZ-së dhe krejt amullia që është krijuar ngre shumë dyshime të procesit të numërimit të votave. Duke pasur parasysh se sot nga vëzhguesit të shtabeve tona na vijnë informacione për të dhënat që nuk përputhen me ato që i ka publikuar KSHZ-ja, ndërsa janë raportuar shumë parregullsi, manipulime gjatë procesit zgjedhor. Sot jemi këtu për të thënë se për ne janë shumë problematike dhe të pabesueshme numrat e publikuara mbrëmë. Nisur nga kjo si dhe në disa vendbanime ka pasur mbushje kutish si në Saraj “tren bullgar” në Kumanovë dhe Likovë, pastaj votimet në Dibër ose mbushje brutale kutish në Zajaz në Pllasnicë dhe Kërçovë”.

I pyetur nga TV21 se a ka filluar koalicioni “Tash është Koha” bisedimet për formimin e Qeverisë së ardhshme, Llabunishti me përgjigje: “Koalicioni jonë vazhdon të ndjek procesin përfundimtar të mbylljes së procesit zgjedhor dhe pas përfundimit të këtij procesi, fillon procesi tjetër i debateve, analizave për Qeverinë e ardhshme të vendit”.