Lirohet nga paraburgimi shoferi i Lupço Palevskit-Pallços që e kishte dërguar në Turqi

Stefan Dimkovski, i cili dyshohet se ka ndihmuar Lupço Palevski Pallço për të ikur nga vendi, lirohet nga paraburgimi. Pas propozimit të prokurorit kompetent të rastit, gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar masat e sigurimit, gjegjësisht ndalim të largimit nga vendbanimi, konfiskim të dokumentit të udhëtimit, detyrim për paraqitje në gjykatë dhe ndalim të përdorimit të patentë shoferit.

“Duke marrë parasysh veprën për të cilën dyshohet personi dhe dënimin me burgim me kusht, kohëzgjatja maksimale e mundshme ligjore për këtë të dyshuar është tre muaj. Pas skadimit të atij afati, ndaj të dyshuarit është zëvendësuar masa e paraburgimit me masat e duhura të sigurimit”, njoftuan nga Prokuroria Publike e Shkupit.

Dimkovski ka transportuar nga Beogradi në Turqi Palevskin, i cili dyshohet për rrëmbimin dhe vrasjen e dyfishtë të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pance Zhezhovski.

Sipas prokurorisë, ai e ka ndihmuar Palevskin që të mos zbulohet për krimet dhe i ka siguruar transport me veturë. Pas komunikimit dhe marrëveshjes paraprake me Palevskin, i cili ishte në Serbi, Dimkovski është nisur për në Beograd me një automjet Land Rover me targa të Strumicës, në pronësi të një kompanie. Aty është takuar me Palevskin dhe së bashku me veturën janë nisur drejt pikës kufitare me Bullgarinë, Kalotinë.

Ata kanë kaluar kufirin më 2 dhjetor të vitit të kaluar dhe duke lëvizur nëpër territorin e Bullgarisë, në të njëjtën ditë kanë mbërritur në kufirin me Turqinë Kapitan Andreevo dhe kanë hyrë në vend.

Ata kanë qenë bashkë deri më 3 dhjetor. Dimkovski ka shpërnda edhe një foto nga Turqia në Facebook atë ditë. Më pas Dimkovski me veturën e tij përmes Greqisë ka shkuar në këtë vend, ku është ndaluar në pikën kufitare Star Dojran.

Dimkovski, së bashku me të dyshuarit tjerë në këtë rast, që nga dhjetori ishte në paraburgim në Shutkë. Palevski u kap në qytetin turk të Belikesir dhe pritet ekstradimi i tij në vend.